Rrëfehet Shaqiri: Dua të fitoj Premier Leaguen me Liverpoolin
Pëlqej
Po bën tre muaj në Liverpool, por qendrën e qytetit nuk e ka shkelur ende dhe vazhdon të jetojë në Manchester. Xherdan Shaqiri në ditën e lindjes së tij të 27-të, rrëfen për “Blick” karrierën në klubin e ri, marrëdhënien me Klopp, ambiciet e tij dhe kombëtaren zvicerane.

• Xherdan, urime për ditëlindjen. Çfarë do t’i uronit vetes?

"Shëndet! Dhe me një fitore të premten, do ishte një ditëlindje e bukur.

• Por, do të ndesheni kundër skuadrës së tretë të Botërorit, Belgjikës dhe nuk është e lehtë.

"Jo, do të jetë e vështirë. Duhet të jemi në një ditë të mirë. Por kur ne shkojmë në limitet tona, atëherë mund të arrijmë diçka.

• Kur njerëzit ju shohin juve me trajnerin e Liverpulit, Klop, jeni gjithnjë duke qeshur. Duket se kuptoheni mirë, apo?

"Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Ai e bën shumë argëtuese punën. Raporti ynë është shumë i mirë.

• Kloppi nuk është një tifoz i Ligës së Kombeve. Çfarë ju tha përpara se të niseshit?

"Nuk kemi folur shumë për Ligën e Kombeve.

• Por, do të kishit dashur që Klopi t’ju kishte aktivizuar më tepër apo jo?

"Unë jam i kënaqur. Besoj se jam relativisht shumë pranë formacionit titullar.

• Le t’i kthehemi ditëlindjes suaj. Ju do bëheni së shpejti më i vjetri në skuadër?

"Edhe më jetëgjati, apo jo? Po, dhe jeni lojtari me më shumë ndeshje ndërkombëtare… … dhe me më shumë gola.

• Ju kujtohet ndeshja juaj e parë me kombëtaren zvicerane?

"Po, shumë mirë. Ishte kundër Uruguait, viti 2010. Ishte shumë e veçantë. Isha relativisht i ri. Në stol ishte një trajner shumë i suksesshëm si Otmar Hicfeld. Isha goxha nervoz. Më kujtohet mirë edhe goditja ime e parë e këndit. Topi shkoi diku…

• … brenda portës, apo jo?

"Po, pikërisht.

• Por më pas ju desh të prisnit mbi 8 vite që më në fund t’ju lejonin të luanit në pozicionin e preferuar, pas sulmuesve. Me përjashtim të dy ndeshjeve me Hicfeldin, në Botërorin e Brazilit.

"Po, zgjati pak (qesh). Por tani në kombëtare luaj në pozicionin që më pëlqen më shumë.

• Kanë të drejtë njerëzit që mendojnë se ju shijoni liri më të madhe veprimi se roli i numrit 10?

"Është sigurisht diçka e ndryshme për një futbollist që të ketë një liri të tillë. Këtë liri mua ma jep trajneri dhe unë përpiqem që ta shfrytëzoj për të ndihmuar skuadrën sa më mirë që të jetë e mundur, me asiste apo edhe goditje. Ose duke më lejuar të kthehem pas.

• Por, jo aq pas sa qendërsulmuesi Aleks Frai…

"Pikërisht. Aleks kthehet shpesh pas për të marrë topin. Unë përpiqem ta fitoj topin mes linjave. Në qendër skuadra mund të përfitojë më shumë prej stilit të lojës sime.

• Le t’i kthehemi Liverpulit. Si është jeta atje?

"Unë jetoj ende në Manchester, në të njëjtën shtëpi ku qëndroja kur isha te Stoke. Të jem i sinqertë, nuk kam shkelur kurrë në qendër të qytetit të Liverpoolit me përjashtim kur kam qenë me skuadrën, në hotelin e grumbullimit. Shokët më kanë thënë se është e vështirë, sepse njerëzit vijnë direkt te ti.

• Është e rrezikshme për shkak të tifozëve të Evertonit?

"Nuk e di. Por, mendoj se po të sillesh mirë, atëherë asgjë nuk do të ndodhë. Por, kur je në hotelin e Liverpulit të premten, dëgjon shumë njerëz jashtë në orën 23:00. Mendoj se në Angli nuk i kanë xhamat e dritareve shumë të trashë sa në Zvicër (qesh)", përfundoi Shaqiri.
Shtuar më 11/10/2018, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori