Rrëfehet Zidane: Kisha probleme në shkollë, doja vetëm futbollin
Zinedin Zidan tashmë njihet si një nga trajnerët më të mirë në qarkullim për atë që ka fituar në pak vite në drejtimin e Real Madrid. Por para kësaj periudhe, ai ishte për shumë vite futbollisti më i mirë në qarkullim.
Në një intervistë për “OTRO”, Zidan ka treguar se ka qenë e vështirë për t’u bërë një emër i njohur, sidomos për faktin se në periudhën kur ai dëshironte të bëhej pjesë e futbollit profesionist, djemve si ai nuk u jepeshin shumë mundësi.

“Dëshira ime e vetme ishte të luaja futboll dhe kisha vështirësi në shkollë. Prindërit e mi nuk më penguan kurrë, por e dinin që nuk kisha sjelljen e duhur. Ndaj një ditë më thanë ‘E dimë që ke diçka tjetër në mendje, ndaj bëj atë që dëshiron’. Sapo mora leje nga prindërit, dhashë gjithçka për të realizuar atë që dëshiroja, sapo shkova te Kan dhe pashë lojtarët që stërviteshin thashë ‘dua t’i kushtohem kësaj’.

Që nga ai moment luftova për t’u bërë më i miri në botë. Pushoja mirë, nuk bëja idiotin nëpër lokale, pija ujë dhe bëja streçing. Dhashë gjithçka që mundja për t’u kthyer në një lojtar sa më të mirë, dëshiroja t’ia arrija me çdo kusht. Vetëm kështu do të lumturoja dhe bëja krenarë prindërit e mi”, tregoi Zidan.

“Në ato kohë, për të rënë në sy duhej të ishe i mirë, jo si tani. Si fillim duhej të tregoje që ishe ndryshe nga të tjerët, pasi kishte një numër të kufizuar lojtarësh, një apo dy të rinj për ekip. Sot jo, sot çdo gjë është revolucionarizuar dhe çdo gjë është më e shpejtë, ndaj lojtarët nuk kanë më frikë të gabojnë”, shpjegoi francezi ndryshimet me periudhën kur ai ishte lojtar.
Shtuar më 24/03/2019, ora 10:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori