Rrëfimi i Abrashit: Krenar që jam shqiptar, por i jam mirënjohës Zvicrës
Amir Abrashi lindi më 27 mars të vitit 1990 në Bischofszell të Zvicrës, atje ku ai ka nisur edhe hapat e parë në futboll. Por në diskutimin për kombëtaren në thirrjen e parë që mori, mesfushori energjik i Freiburg nuk pati dyshime për të zgjedhur Shqipërinë.

Edhe pse luajti me skuadrat e moshave të Zvicrës që prej 2007, madje u aktivizua dhe në Lojërat Olimpike me “helvetikët”, Abrashi rrëfeu për gazetën “Neue Zurcher Zeitung”, se është krenar për çfarë ka arritur.

" E pres me padurim ndeshjen me Zvicrën. Xherdan Shaqiri është një mik i mirë dhe takohemi shpesh. Unë njoh gjithashtu shumë nga kundërshtarët tanë. Kam luajtur për Zvicrën deri në U-21, pastaj nuk më ftuan më. Trajneri i atëhershëm, Ottmar Hitzfeld, më këshilloi që të prisja përfundimin e Kupës së Botës, pas të cilës do të kishte ndryshime në kombëtare. Por unë jam një person që i merr gjërat si t’i vijnë.

Me Shqipërinë më shfaqej mundësia të ndërtoja diçka. Trajneri Gianni de Biasi ishte i aftë të më bindte për projektin dhe jam shumë i lumtur që vendosa të shkoj me Shqipërinë. Askush nuk e priste të kualifikoheshim. Kemi treguar se Shqipëria është zhvilluar.

Mesfushori shtatshkurtër tregon se viziton vendlindjen e prindërve, Gjakovën, dhe se i pëlqen shumë, ndërsa në Shqipëri ka një simpati për qytetin e Sarandës. Pavarësisht kësaj, ai thotë se dëshiron që të jetojë gjithmonë në Zvicër.

"Unë jam krenar që jam shqiptar, por gjithashtu krenar që kam lindur në Zvicër. Është e vështirë ta shpjegoj pasi kam dy shtëpi. Gjaku është shqiptar, por shtëpia është në Zvicër. Kosova është atdheu i prindërve të mi. Unë kam shkuar shpesh në qytetin e tyre të lindjes, në Gjakovë, dhe më pëlqen.

Në Shqipëri shkoj në det, sidomos në Sarandë, një qytet shumë i bukur bregdetar. Megjithatë, unë nuk do të kthehesha të jetoja në Kosovë. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jetosh në Zvicër, do të kthehem gjithmonë këtu. Zvicra më ka dhënë shumë, shkollimin, futbollin, do t’i jem gjithmonë mirënjohës", u shpreh Abrashi.

Shtuar më 09/06/2016, ora 09:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori