Rrëfimi prekës i futbollistit nga masakra e luftës në Kosovë
Pëlqej
Në vitin 1999, Genc Hoxha ishte një prej emrave më të njohur në futbollin kosovar. Kishte mjaftuar që t’i kujtohej emri i një futbollisti të njohur në futbollin sovjetik, që të mos vritej në luftë.

Gazeta britanike "The Independent" i ka kushtuar një shkrim futbollit kosovar, për vështirësitë që ai ka kaluar gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Në veçanti, në shkrimin e gazetës britanike, tregohet rrëfimi i Genc Hoxhës, atëbotë një prej emrave më të njohur të futbollit kosovar, dhe si ai i kishte shpëtuar vdekjes falë futbollit.

Hoxha, tani ndihmës trajner në Përfaqësuesen e Kosovës, kishte bërë emër me KF Vëllaznimin gjatë 80-tave, para se t’i bashkohej KF Lirisë. Ndërkaq, në vitin 1991, ishte shpallur futbollisti i vitit në Kosovë.

Por, gjatë kohës së fillimit të luftës, Hoxha ishte rikthyer në Gjakovë, ku po jetonte me gruan, prindët, gjyshërit dhe dy fëmijët.

Për një moment, Hoxha qëndroi i heshtur. “A s’mund të shkoj të shikoj për familjen time?”, pyeti ai, duke mos arritur ta kuptojë mirë ndryshimin e situatës.

“Nëse dëshiron të jetosh, do të bësh ashtu siç thashë”, tha ushtari në gjuhën ruse. Më pas ai gjuajti dy herë në qiellin e Gjakovës, dhe Hoxha u rrëzua, duke dëgjuar hapat e ushtarit që largohej.

“A përfundoi?”, pyeti një prej ushtarëve serb. “Po, përfundoi”, iu përgjigj ushtari rus. Më pas ata u larguan.

Duke folur për Independent, Hoxha në mënyrë të detajizuar kujtoi ditën kur Oleg Blokhin i shpëtoi jetën.

“Fillimisht mendova se do të ishte më mirë po të më kishin vrarë. Shkova në shtëpinë e komshiut, i cili ishte po ashtu futbollist, dhe prisnim për serbët që të riktheheshin”, rrëfen ai.

Gazeta në shkrimin e saj po ashtu ka përmendur aspekte tjera të zhvillimit të futbollit të Kosovës në 20 vitet e fundit, krahasuar me represionin e madh që i ishte bërë futbollit gjatë periudhës së konfliktit.

Klubi futbollistik i Drenicës, ishte një prej klubeve të futbollit që i kishte mbijetuar shtypjes serbe përgjatë viteve 90-ta.

Në një ndeshje futbolli në Mitrovicë, në vitin 1997, trupat e ushtrisë serbe ishin futur në fushë për të ndërprerë ndeshjen, duke detyruar lojtarët që me vrap të largohen.

Por, gjyqtarët dhe tifozët më të vjetër, ishin detyruar të bartin portat në shpinën e tyre, dhe të ecnin në fushë. Ishte një prej trajtimeve mizore që i ishin bërë sportit në Kosovë.

Por, 20 vjet më pas, Superliga e Kosovës, që ka hasur në shumë vështirësi gjatë luftës, ka rilindur. Në maj të vitit 2016, Federata e Futbollit u pranua në UEFA dhe në FIFA.

Anëtarësia në UEFA i ka sjellur stabilitet më të madh sportit, duke i ekspozuar në garat elitare evropiane klubet të cilat kishin qenë të shtypura gjatë kohës së okupimit.

Njësoj si Genc Hoxha, mbijetoi edhe Kosova, bashkë me futbollin e saj. Tashmë Genc Hoxha është ndihmës trajner në Përfaqësuese që garon në kualifikueset e FIFA-s, me federatë që është pjesë e familjes së madhe evropiane të futbollit. /Insporti.com/
Shtuar më 09/04/2018, ora 22:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori