Rrezikohet Serie A, dekreti për stërvitjet në grup nuk aprovohet
Ndërkohë që Bundesliga u rikthye në fushë këtë fundjavë, për të vijuar sezonin 2019-2020, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kampionatin italian, ku rinisja e futbollit duket ende larg dhe tani ka nisur shqetësimi nëse do të kapen afatet e UEFA-s.

Kjo pasi përtej optimizmit fillestar, Ministria e Sporteve shtyu sërish datën e rinisjes së stërvitjes kolektive, pasi në një deklaratë pasditen e sotme theksoi se edhe prej 18 majit do të vijohet me stërvitje individuale, në grupe të vogla lojtarësh.

Ky vendim ka ardhur pasi Komiteti Shkencor nuk ka miratuar ende dekretin përfundimtar për lejimin e aktiviteteve sportive, duke qenë se ende nuk ka pasur një konsensus të gjerë mes klubeve për pikat e tij.

Ditë më parë, klubet në Serie A ranë dakord që sezoni të vazhdonte më 13 qershor, por pas shtyrjes datës për fillimin e stërvitjeve grupore, një gjë e tillë duket e pamundur.

Ligat evropiane duhet të përfundojnë më së largu më 2 gusht, për t’i mundësuar pastaj UEFA që të organizojë datat për përfundimin e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.


Shtuar më 17/05/2020, ora 22:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori