Rruga e Interit deri ne fitore
Albeu.com
Interi i udhëhequr nga portugezi, Jose Mourinho, bëri një rrugë të vështirë për të arritur deri në finalen e Ligës së Kampionëve, por tani kur trofeu i kësaj gare është bërë pronë e tyre, vuajtjet s'kanë vend.
Për fatin e tyre të keq "Neroazzurët" gjatë këtij edicioni të "Championsit" u ballafaquan plot katër herë me kampionen e edicionit të kaluar, Barcelonën - dy herë në fazën grupore dhe dy herë në gjysmëfinale. Interi nuk e nisi mirë këtë stinor të Ligës së Kampionëve dhe ishte shumë pranë të eliminohet qysh në fazën grupore. Në tri ndeshjet e para të grupit Interi fitoi vetëm tri pikë. Barazoi dy herë në shtëpi, përkatësisht kundër Barcelonës dhe Dinamos së Kievit, ndërsa barazoi edhe si mysafir i Rubin Kazanit.

"Jemi pranë ferit, por ende nuk jemi futur brenda", kishte thënë trajneri i Interit, Jose Mourinho, pas barazimit 2:2 në "Giuseppe Meazza", kundër Dinamos së Kievit. Por, në tri ndeshjet e fundit Interi fitoi gjashtë pikë. E mposhti Dinamon në Kiev (2:1) dhe Rubinin në Milano (2:0), ndërsa pësoi nga Barcelona në "Camp Nou" me rezultatin 2:0. Vetëm në xhiron e fundit të fazës grupore me fitoren ndaj Rubinit Interi nxori biletën për në 1/8 e finales.

Në 1/8 e finales Mourinhos për kundërshtar i qëlloi ish-skuadra e tij Chelsea. Interit i parashikoheshin pengesa të shumta, por kjo skuadër fitoi të dy ndeshjet, 2:1 në Milano dhe 0:1 në Londër.

"Stamford Bridge është fusha në të cilën nuk kam humbur kurrë dhe nuk e kam në plan të humbas as kësaj radhe", kishte thënë Mourinho, para ndeshjes së kthimit të 1/8 së finales.

Në çerekfinale kampioni i Italisë, Interi, pati punë pak më të lehtë, mposhti skuadrën ruse CSKA Moska në dy ndeshjet - 1:0 në Milano dhe 1:0 në Moskë.

Në gjysmëfinale Interi pati sfidën më të vështirë. U përball me kampionen e atëhershme evropiane, Barcelona. Një sfidë që zor kalohej, por që kishte edhe anën tjetër pozitive - se nëse kalohej Barcelona, atëherë mund të kalohej çdo skuadër tjetër në finale, ashtu edhe siç ndodhi.

Interi e nisi ballafaqimin e parë gjysmëfinal, duke pësuar gol në "Giuseppe Meazza", mirëpo më pas arriti të mbyllë atë takim në favor të vetin me rezultatin 3:1. Në ndeshjen e kthimit në "Camp Nou" Barcelona përkundër përpjekjeve të shumta arriti të fitojë vetëm me rezultatin 1:0 që nuk i mjaftoi. Madje, Barcelonës nuk i mjaftoi as që luajti për më shumë se një orë me një lojtar më shumë. Kështu Interi siguroi finalen e parë të kësaj gare që nga viti 1972.

"Triumfi në Champions do të ishte një arritje e madhe, pasi niveli i garës është shumë i lartë dhe rruga jonë deri në finale ka qenë shumë e gjatë dhe e vështirë", ka thënë Mourinho pak para ndeshjes finale me Bayernin.
Shtuar më 23/05/2010, ora 14:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori