Rusia e pranon: Nuk kemi para për Capellon
Federata Ruse e Futbollit ka pranuar se nuk mundet të përballojë pagesën prej 8 milionë eurosh ndaj teknikut italian Fabio Capello. "Don" Fabio nuk është paguar që prej muajit qershor dhe vetëm pak ditë më parë, gjatë këtij muaji, kishte deklaruar se po i sosej durimi dhe kërcënoi me largim.

Italiani është në fakt trajneri më i paguar në botë sa i përket ekipeve ndërkombëtare, i cili merr thuajse dyfishin e trajnerit aktual të Anglisë, Roy Hodgson.

"Nuk kemi para në dispozicion për të paguar pagën e Capellos. Është diçka e gabuar, por kur ata nënshkruan kontratën, duhet të kishin menduar se nga do të sigurohej financimi për pagën e tij. Sot, ne jemi duke u përpjekur të gjejmë burime financimi", është shprehur Sergei Stepashin, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës ruse.

Capello nënshkroi rinovimin e kontratës në janar të 2014-s, gjë që e mban atë të lidhur me Rusinë deri kur të zhvillohet Botërori i vitit 2018, që organizohet nga vetë Rusia.

Që prej atëherë, rusët nuk mundën të fitojnë asnjë ndeshje në Botërorin e Brazilit, duke barazuar 1-1 me Algjerinë dhe Korenë e Jugut, si dhe duke humbur 1-0 ndaj Belgjikës, ndërkohë që Eleminatoret për Euro 2016 kanë nisur me një fitore 4-0 ndaj Lihtenshtejnit, por më pas vetëm barazime me Suedinë dhe Moldavinë. /albeu.com/

Shtuar më 12/11/2014, ora 17:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori