Ruud Gullit tregon pse Guardiola nuk e fiton dot Champions-in
Ruud Gullit është munduar t’i japë një shpjegim mungesës së triumfit në Champions nga Pep Guardiola, që prej largimit nga stoli i Barcelonës. Trajneri aktual i “qytetarëve” e fitoi dy herë këtë trofe me gjigantët katalanas, në sezonin 2008-2009 dhe 2010-2011. Prej asaj kohe, Pep ka mbetur “thatë” në këtë drejtim, edhe pse ka drejtuar gjigantët e Bundesligës, Bayern Munich, dhe tani Manchester City.

Me bavarezët ka arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa me “qytetarët” nuk i është afruar këtij raundi. Mbrëmë u eliminua nga Tottenham, që në çerekfinale. Legjenda e futbollit holandez, Gullit, ka vënë në dukje mungesën e superstarit Lionel Messi, si arsyen e vërtetë pse Guardiola nuk po e fiton më Champions-in.

"Kjo vjen për shkak se ai nuk ka më Messin, - tha Gullit për “beIN SPORTS”. – Ky fakt bën një ndryshim të madh. Ai u përpoq të triumfonte me Bayern Munich. Ishte afër suksesit çdo herë, por nuk mundi t’ia dilte. Fitimi i titullit të Bundesligës në Mynih nuk është më arritje, sepse kjo ndodh pothuajse çdo vit. Pep dëshironte të fitonte Ligën e Kampionëve, nuk po ia arrin as te Manchester City, ndaj ndihem keq për të.

Sigurisht, kur drejtonte Barcelonën, Guardiola kishte një ekip të pabesueshëm, të trashëguar nga Frank Rijkaard. Nën drejtimin e këtij të fundit kishte debutuar edhe Messi. Argjentinasi u bë edhe më i rëndësishëm, ishte përcaktues në shumë ndeshje, kur Pep drejtonte Barcelonën”.
Shtuar më 18/04/2019, ora 09:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori