Sammer sulmon skuadrën dhe mbron Guardiolën
Pavarësisht triumfit 2-0 në shtëpi ndaj Hannover 96, Drejtori Sportiv i Bayern Munchen shpërtheu në një lum kritikash, që kishin si shënjestër lojtarët. Në intervistën për një televizon gjerman, Matthias Sammer kërkoi nga ekipi të mos fshihet pas Guardiolës, por të ndryshojë sjellje dhe ta reflektojë atë në fushë.

"Kjo situatë duhet të ndryshojë. Bëjmë lojë letargjike dhe pa emocion. Nuk mund të vazhdohet kështu. Mungon pasioni në atë që bëjmë. Punojmë shumë por kjo nuk mjafton. Në 14 muaj kemi fituar 5 tituj. Franck Ribery u shpall lojtari më i mirë në Europë dhe ndoshta do të fitojë edhe Topin e Artë", u shpreh Sammer.

Për drejtuesin 46-vjeçar të bavarezëve, ekziston tendenca që çdo gjë t’i faturohet ndryshimeve si pasojë e ardhjes së Guardiolës, diçka që në mënyrë absolute, ai nuk e pranon më si justifikim.

"E nisëm nga zero me një trajner të ri. Të gjithë mundohen të fshihen sadopak pas Guardiolës. Nuk më pëlqen të dëgjoj më rreth sistemit apo ndryshimeve që kanë ndodhur. Çdo ditë flitet për Guardiolën lart e poshtë dhe në fund të gjithë bëhemi më pak përgjegjës dhe themi: Le të fshihemi pas tij. Na mungon niveli i lojës që kërkojmë, na mungon ai 5% që na çon më lart", vijoi drejtuesi bavarez.

Pas kritikave pa dorashka, me Bayernin që renditet i dyti në kampionat me dy pikë më pak se Dortmundi, Sammer pret reflektim nga lojtarët për sfidën e radhës, që është me rusët e CSKA Moscow të martën në Champions League. /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2013, ora 14:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori