Sigurisht që është i zënë nga festa e kualifikimit, megjithatë Jorge
Sampaoli gjen kohën për të hedhur shigjeta ironizuese në drejtim të holandezëve. Trajneri i
Kilit, pas humbjes me "Tulipanët" e Van
Gaal në Arena Corinthians, i akuzoi kundërshtarët për taktika dhe lojë të shëmtuar, duke u fokusuar te mbrojtja.
"Holanda u favorizua në këtë takim sepse ne dëshironim të luanim, ndërsa ata jo. Nuk mund të gjenim zgjidhje në mposhtjen e kësaj skuadre që vetëm mbrohet dhe lojën e bazon tek pasimet e gjata. Gjithsesi, pavarësisht humbjes, shpirti ynë i skuadrës ka mbetur i pacënuar. Jam krenar që drejtoj kombëtaren e
Kilit. Eshtë një grup kurajoz lojtarësh dhe nga ky takim kemi ikur me kokën lart", tha tekniku argjentinas i
Kilit.
Ekipit të "La Roja"-s i duhej patjetër fitorja për të marrë kreun e grupit dhe për të shmangur kështu përballjen me Brazilin, megjithatë për teknikun argjentinas, pak rëndësi ka se cili do të jetë kundërshtari i radhës.
"Me këdo që do të luajmë në raundin tjetër nuk do të jetë e lehtë, por sigurisht që duhet të tregohemi edhe më shumë të kujdesshëm me Brazilin. Ata janë favoritë sepse luajnë në vendin e tyre dhe kanë një popull të tërë që i mbështet", vijoi
Sampaoli.
Shigjetave të Sampaolit për taktikat e holandezëve, nga kampi i europianëve u janë përgjigjur me të njëjtën mënyrë. Van
Gaal ironizoi trajnerin e kilianëve duke thënë se fitoi skuadra më inteligjente. Sipas tij, edhe kundërshtari pati të paktën 3
raste që nuk diti t’i shfrytëzonte, ndërsa vlerësoi tulipanët për neutralizimin që i bënë lojës ofensive të amerikano jugorëve.
Shumë i revoltuar reagoi edhe Sneijder, i cili tha se komentet e Sampaolit janë mungesë respekti e mbi të gjitha sepse kjo ishte loja e vërtetë e Holandës, njëlloj si kundër Spanjës e Australisë. Për ish mesfushorin e Interit, fakti që Kili nuk arriti të krijonte
raste të rrezikshme, në të vërtetë duhet marrë si kompliment për skuadrën e tij. /albeu.com/
Shtuar më 24/06/2014,
ora 12:01