Sane i thotë "JO" Liverpoolit, dëshiron vetëm Bayernin
Leroy Sane i mbyll derën Liverpoolit, duke deklaruar se nuk është i interesuar për një kalim të mundshëm te klubi nga Merseyside. 24-vjeçari gjerman nuk është aktivizuar fare gjatë këtij edicioni të Premier League-s për shkak të dëmtimeve dhe problemeve të shumta fizike. Futbollisti me tipare sulmuese që numëron 21 takime me fanellën e "mannschaft"-it, konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të talentuar në radhët e Manchester City-t, megjithatë gjërat kanë ndryshuar dhe ndoshta edhe marrëdhëniet me trajnerin Pep Guardiola nuk janë më njësoj.

Në fakt situata ndryshoi dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre pësuan një krisje të fortë pikërisht pas fazës çerekfinale të edicionit të kaluar në Champions, kur trajneri i mirënjohur katalanas preferoi për ta përdorur si zëvendësues në të dyja sfidat me ekipin londinez Tottenham Hotspur, zgjedhje për hir të së vërtetës tepër të çuditshme, por mbi të gjitha edhe shumë të diskutueshme në ambientet e futbollit anglez, deri në atë pikë sa për të influencuar në fund edhe në eliminimin e "sky blues" nga kompeticioni i trofeut me "veshë të mëdhenj".

Në Gjermani "Sport Bild" raporton për një interesim të veçantë të trajnerit aktual të "të kuqve" Jurgen Klopp, për futbollistin me origjinë senegaleze, që luan në krah dhe që ka një klauzolë prej 100 milionë eurosh. Drejtuesit e City-t paguan 46.5 milionë stërlina në vitin 2016 klubin e Shalkes, duke përfshirë edhe bonuset, për një lojtar që influencoi ndjeshëm për të kurorëzuar “citizens” me dy tituj të njëpasnjëshëm në kampionatin anglez, madje në Stadiumin "Etihad" më datë 3 janar të vitit të kaluar Sane ishte pikërisht autori i golit që i dha fitoren skuadrës së Guardiolës ndaj "të kuqve" dhe afroi City-n me Liverpulin, për të rihapur krejtësisht llogaritë në Premiership, humbje që mbeti e vetmja në harkun e 14 muajve për klubin e famshëm nga Merseyside në kampionat.

Jurgen Klopp kërkon të ketë një lojtar të tillë në krah, me karakteristikat dhe cilësitë që përgjithësisht ai preferon te lojtarët që luajnë përpara, pasi Leroy Sane përveçse shumë i ri dhe i talentuar është konfirmuar tashmë në ishull falë shpejtësisë dhe zhdërvjelltësisë së tij në lojën me topin, sidomos në hapësira të ngushta veprimi. Sipas Bild-it mësohet se 24-vjeçari nuk është i interesuar për të kaluar në radhët e Liverpulit, pasi preferon që të luajë në Bundesligë.

“The reds” po interesohen prej kohësh për të përforcuar skuadrën në fazën sulmuese dhe trajneri Jurgen Klopp ndoshta mendoi që të përfitojë edhe nga situata, për të joshur një futbollist që tashmë është i pakënaqur në radhët e skuadrës kampione në fuqi, sidoqoftë përveç Sanesë, 52-vjeçari shvab po kërkon gjithashtu edhe sulmuesin e përfaqësues gjermane Timo Werner, që aktualisht luan për ekipin e Lajpcigut. "Sport Bild" shkruan se Sane dëshiron një transferim të mundshëm në radhët e Bayernit të Mynihut dhe në fakt siç dihet drejtuesit e klubit të njohur bavarez kanë thurur lavde vazhdimisht, për të joshur publikisht një futbollist të tillë.

Në këtë mënyrë drejtuesit e Liverpoolit duhet të kthejnë vëmendjen në një tjetër drejtim për të përmbushur dëshirat e trajnerit Jurgen Klopp, në një kohë kur me një zhvillim të tillë është e kuptueshme që Leroy Sane po afrohet gjithmonë e më shumë me rekordmenët e futbollit gjerman. Sport Bild shpjegon se në fillim të muajit klubi bavarez ka ofruar 40 milionë euro për këtë lojtar, gjithsesi është e qartë që drejtuesit e City-t duan shumë më tepër.

Te klubi nga Mynihu janë të gatshëm për të shkuar deri në 60 milionë euro, por pa e kaluar këtë shifër, sepse në mënyrë të kuptueshme Leroy Sane ka një ofertë 5-vjeçare dhe sido që të rrjedhin ngjarjet në verën e vitit të ardhshëm ky lojtar do të largohet nga “citizens” me parametra zero. Që nga viti 2016 kur kaloi në radhët e City-t 24-vjeçari ka shënuar 39 gola në 134 ndeshje gjithsej me fanellën e "sky blues". Bayerni i Mynihut ishte vërtet shumë pranë transferimit të këtij futbollisti në Bavari, por një dëmtim i rëndë i pësuar në Superkupën e Anglisë të quajtur ndryshe Community Shield, në duelin me Liverpulin në fillim të muajit gusht bëri që Sane të largohet nga fusha e "Wembley"-t që në minutën e 12’.

Që nga ajo kohë Leroy Sane nuk është aktivizuar më në radhët e "citizens", pasi e ka shfrytëzuar gjithë këtë periudhë për t’u riaftësuar. Për fatin e tij të keq, pikërisht atëherë kur po bëhej gati për t’u rikthyer në fushën e lojës Leroy Sane pësoi një tjetër dëmtim në fundin e muajit shkurt, ndërsa në vazhdim gjithçka u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që në muajin janar trajneri aktual Pep Guardiola deklaroi se është krejtësisht I pafuqishëm për të ndalur një largim të mundshëm të këtij futbollisti nga klubi i Manchester City-t.
Shtuar më 21/05/2020, ora 10:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori