Sarri dhe varësia nga duhani, italiani konsumon 80 cigare në ditë
Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, u detyrua t’i kafshojë e hajë cigaret gjatë ndeshjeve në Premierligë, pasi që Anglia nuk e lejon pirjen e cigareve brenda stadiumit. Ky ishte një dallim i madh për Sarrin, i cili besohet se i pi 80 cigare brenda ditës.

SportBible raporton se Maurizio Sarri, i cili besohet se do ta zëvendësojë Massmiliano Allegrin në pozitën e trajnerit të Juventusit, i pi katër pako cigare – me nga 20 copë – brenda një dite.

Pasi që në Angli është e ndaluar që të pihet cigare brenda stadiumit, Chelsea u raportua se ia kishte ndërtuar Sarrit një zonë të veçantë brenda stadiumit “Stamford Bridge”, ku atij i lejohet të pinte cigare.

Nëse Sarri rri zgjuar për 16 ore brenda ditës, atëherë do të thotë se ai i pi pesë cigare brenda orës, apo një çdo 12 minuta.

Dream Team analizoi se sa para shpenzon Sarri çdo ditë për cigaret e tij. Sipas tyre, një pako cigare e Sarrit kushton 11.5 funte, kështu që ai i shpreson 46 funte çdo ditë për cigare, apo 1400 funte çdo muaj.

Megjithatë, kjo nuk paraqet problem për Sarrin. Uebsajti ndërkombëtar i futbollit vazhdon duke raportuar se bardhezinjtë do të duhet t’ia paguajnë Chelseat vetëm tre milionë euro dëmshpërblim për emërimin e ish-trajnerit të Napolit.

Sarrit do t’i bashkëngjiten në Torino edhe ndihmësit e tij, që i kishte pasur me vete edhe në Chelsea, përfshirë këtu edhe Paolo Bertellin, Luca Gottin dhe Marco Iannin, si dhe ndihmësin e tij në Empoli, Giovanni Martusciello.

Rol në stafin e ndihmësve të Sarrit mund të ketë edhe Andrea Barzagli, i cili së fundi është pensionuar, ndërsa Frank Lampard pritet ta zëvendësojë Sarrin në Stamford Bridge.

Sarri u emërua trajner i Chelseat në korrik të vitit 2018, kur u largua nga Napoli. Ai i drejtoi londinezët sezonin e kaluar, kur u renditën në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës dhe e fituan titullin e Ligës së Evropës.
Shtuar më 15/06/2019, ora 18:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori