Sarri i frikësohet Milanit: Na ka prishur punë gjithmonë
Me 7 pikë më tepër se Lazio e vendit të dytë, Juventus vrapon drejt titullit kampion të 9 radhazi, por kur kanë mbetur edhe 8 javë për t’u luajtur deri në fund, trajneri Sarri bën thirrje për përqendrim maksimal.

"Diferenca prej 7 pikësh na jep një farë sigurie, por nuk mund të jemi aspak të qetë, sepse në këto momente, me ndeshjet çdo tre ditë, edhe një gabim ekstremisht i vogël mund të kushtojë shtrenjtë", u shpreh tekniku i bardhezinjve.

Nesër në mbrëmje Juventusi do të udhëtojë drejt "San Siro"-s për t’u përballur me Milanin, skuadër që vetëm të shtunën i dha një leksion të hidhur Lazios, ndërsa Sarri pranon se sfida nuk do të jetë aspak e lehtë.

"Milani na ka vënë gjithmonë në vështirësi gjatë këtij sezoni, ndaj nesër duhet të bëjmë kujdes, sepse ata vinë me një motivim shumë të lartë. Do të kemi dy mungesa shumë të rëndësishme si De Ligt dhe Dybala, por edhe ata që do të luajnë, do të jenë në lartësinë e duhur për t’i zëvendësuar. Është folur shumë për një organikë të zgjeruar, por ne nuk kemi më shumë sesa 15 lojtarë në këto momente, ndaj duhet të tregojmë kujdes", tha Maurizio Sarri.
Shtuar më 07/07/2020, ora 09:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori