Schweinsteiger: Nuk e kam menduar kurrë tërheqjen
Mesfushori i Bayern Munchen, Bastian Schweinsteiger, këmbëngul mbi faktin se ai nuk e ka menduar asnjëherë tërheqjen nga futbolli pavarësisht dëmtimeve të shumta që ka pësuar gjatë viteve të fundit. Gjermani i ka siguruar të gjithë tifozët e Bayernit por edhe ata të kombëtares se ai do të vazhdojë të luajë futboll të paktën edhe për 3 apo 4 vite të tjera.

"Mendoj se mund të luaj në nivelet më të larta për 3 apo 4 vite të tjera. Jam me të vërtetë i lumtur që kam arritur të rigjej formën time. Fillimisht mendoja se do të rikthehesha në skenë vetëm në vitin 2015, por fat të mirë ja dola të luaja disa sfida në fundin e vitit të kaluar, dhe besoj se diçka e tillë do të më ndihmojë shumë për të arritur kondicionin optimal në startin e kampionatit", është shprehur Schweinsteiger, raporton "Goal.com".

Kontrata aktuale e tij me Bayern Munchen skadon në verën e vitit 2016, por lojtari i përfaqësueses gjermane për momentin nuk është duke menduar për zgjatjen e kontratës.

"Nuk e di nëse ka pasur kontakte mes menaxherit tim dhe drejtuesve të klubit. Gjithesesi unë jam i qetë përsa i përket kësaj çështjeje dhe momentalisht po mendoj vetëm se si të arrij formën time më të mirë. E vetmja gjë që mund të bëj është të ndihmoj Bayernin me paraqitjet e mia në fushë. Shpresoj shumë që mua personalisht por edhe skuadrës të na shkojnë gjërat mirë në Bundesligë por edhe në Champions League ku do të përqiqemi të fitojmë me çdo kusht trofeun", ka përfunduar mesfushori gjerman.

Deri në këtë fazë të sezonit Bastian Schweinsteiger ka zhvilluar në total 8 ndeshje me Bayernin gjatë të cilave ka shënuar edhe një gol pikërisht në atë ndaj Mainz 05 e cila ishte sfida e fundit e vitit 2014 për bavarezët. /albeu.com/

Shtuar më 13/01/2015, ora 14:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori