Scolari, trajneri i ri i Brazilit
Luiz Felipe Scolari është trajneri i ri i kombëtares së Brazilit. 64-vjeçari është emëruar në krye të pankinës së 5 herë kampionëve të botës duke zëvendësuar Mano Menezes, të shkarkuar nga detyra vetëm një javë më parë. Scolari pritet të firmosë kontratën, ndërsa kthehet në krye të "Selecao" pas më shumë se dhjetë vitesh kur u largua si kampion bote me triumfin në Botërorin 2002 të zhvilluar në Korenë e Jugut dhe Japoni.

Me këtë zgjedhje Federata Braziliane e Futbollit kërkon t'i jap fund të gjitha polemikat që kanë shoqëruar skuadrën në vitet e fundit, kjo edhe për shkak të rezultateve të dobta të viteve të fundit. Po ashtu, me Scolarin në pankinë, Brazili kërkon të kthehet te triumfi duke nisur nga Kupa e Konfederatave vitin e ardhshëm dhe Botërori 2014, kompeticione këto që do të zhvillojë në shtëpinë e tij. Luiz Felipe Scolari është një nga trajnerët më të suksesshëm brazilianë. Pas Botërorit 2002, ai mori drejtimin e përfaqësueses së Portugalisë, me të cilën e kualifikoi deri në finalen e Euro 2004 dhe në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2006.

Pas kësaj aventure, trajneri 64-vjeçar u ul në pankinën e Chelseas. Pa sukses kjo aventurë që u mbyll me shkarkimin e tij, ndërsa skuadra e tij e fundit ka qenë Palmeiras në kampionatin brazilian. Jo vetëm Scolari, pasi federata braziliane do të vendosë skuadrën në duar të sigurta, pasi me shumë mundësi do të emërojë një tjetër emër të madh përkrah trajnerit të ri. Bëhet fjalë për ish-trajnerin tjetër të Brazilit, Carlos Alberto Parreira, i cili do të marrë rolin e drejtorit teknik të "Seleçaos". /albeu.com/
Shtuar më 29/11/2012, ora 13:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori