Sergio Ramos në radarët e Juventusit
Sipas lajmeve të raportuara në Itali, gjiganti italian Juventus është duke u përgatitur ta transferojë Sergio Ramosin e Real Madridit, gjatë afatit kalimtar të verës. Ky transferim do të ketë edhe më shumë gjasa të ndodhë nëse Jose Mourinho ulet në stolin e Realit, shkruan Albeu.com

Juventusi është duke e përgatitur një ofertë të majme për qendërmbrojtësin dhe kapitenin e Real Madridit, Ramosin, për ta bindur që të transferohet në Itali gjatë verës.

Ramosi nuk ka marrëdhënie të mira me Mourinhon dhe portugezi raportohet se do të bëhet së shpejti trajner i Real Madridit, sapo të shkarkohet Santiago Solari.

Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë Ramosi mund ta kërkojë largimin nga Santiago Bernabeu dhe Juventusi është i gatshëm t’ia plotësojë dëshirat spanjollit.

Të martën u raportua se pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, u shkaktua një zënkë të madhe në zhveshtoren e Santiago Bernabeut, mes presidentit Perez dhe kapitenit Ramos, i cili kishte munguar në këtë ndeshje për shkak të dënimit të UEFA-s pasi ishte ndëshkuar qëllimisht me karton të verdhë.

Perezi kishte qenë duke i pritur futbollistët pas ndeshjes dhe i kritikoi ata për sjelljen e tyre gjatë ndeshjes. Fjalimi i tij vazhdoi për disa minuta, gjatë të cilave ai i sulmoi disa lojtarë për mungesë përkushtimi dhe duke i quajtur "maskarenj".

Në këtë pikë, Ramosi iu përgjigj, duke e akuzuar Perezin dhe bordin drejtues të “Los Blancos’ për planifikim të dobët dhe duke i fajësuar ata për sezonin e tmerrshëm.

"Më paguaj dhe do të largohem. Kam dhënë gjithçka për këtë klub e madje edhe për ty", i kishte thënë Ramosi Perezit, në zhveshtore, ku ishin të pranishëm të gjithë.

Një mision ky shumë i vështirë, edhe sikur presidenti Florentino Perez ta ketë me të vërtetë qëllimin për të larguar kapitenin Sergio Ramos.

Përtej presionit popullor që do të krijohej nga tifozët, do të ishte një lëvizje e vështirë ekonomike për tu justifikuar. Ramos do të duhet të paguhej plot 25 milionë euro në marrëveshje, në këmbim të largimit.

Në verën e vitit 2015, qendërmbrojtësi rinovoi kontratën e tij me klubin madrilen deri në 2020, ndërsa vetëm pak muaj më parë ata e shtynë kontratën edhe me një tjetër vit, për performancë të mirë. Tashmë 32-vjeçar, Ramos do të jetë 34 vjeç kur të skadojë kontrata e tij me Real Madrid.

Ramos është pjesë e Madridit që nga viti 2005. Ai ka bërë 603 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar 84 gola. Ramos ka fituar shumë trofe, veçuar katër të UEFA Champions League. /albeu.com/
Shtuar më 09/03/2019, ora 22:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori