Serie A vijon me 25 mijë tifozë?
Në të gjithë botën i frikësohen valës së dytë të COVID-19, por në Itali mendojnë se me masat e duhura, edhe sporti do t’i kthehet sadopak normalitetit.

Kështu, Seria A bëhet gati të hapë dyert për mijëra tifozë. Jo vetëm 10% e kapaciteteve të stadiumeve, por më shumë, siç tregoi sot zëvendësministri i Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri.

“Në momentet kur ruhen dy metra distancë sigurie nga një person të tjetri, me rregulla të sakta, ndalohen përqafimet, përdoret maska dhe higjenizues të tjerë, unë mendoj se prania e tifozëve në stadium mund të shkojë deri në një të tretën e kapacitetit të stadiumit. Në rastin e stadiumit “Olimpiko” të Romës, i cili mund të mbajë deri në 80 mijë persona, mendoj se prania në ndeshje mund të arrijë në 20-25 mijë njerëz”, theksoi ai.

Një lajm i mirë për Serinë A, e cila ka humbur të ardhura të ndjeshme si pasojë e problemeve financiare që rodhën nga mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumeve pas ndalesës për shkak të COVID-19. Të gjitha klubet italiane kanë kërkuar thuajse njëzëri kthimin e tifozëve me numra më të mëdhenj që në ndeshjet e javëve të ardhshme, e jo 10% siç parashikohej në fillim, por pritet që kjo të ndodhë në javët e para të tetorit.
Shtuar më 23/09/2020, ora 21:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori