Sheiku, 500 mln euro për Milanin
Që klubi i Milanit është në vështirë si të mëdha ekonomike dhe se nuk mund të blejë futbollistë me peshë, kjo është diçka që e dinë të gjithë. Por, javën që vjen, gjërat mund të ndryshojnë për mirë në kampin kuqezi.

Më datë 14 qershor në Milano pritet të zbarkojë sheiku i Dubait, Mohamed Al Maktum, i cili do të takohet me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni, në vilën e këtij të fundit. Që të dy biznesmenët do të diskutojnë për bashkëpunime të ndryshme, ndër të cilët mund të bëjë pjesë edhe Milani. Ka kohë që flitet se “Fininvest” po mendon t’ia shesë një pjesë të aksioneve të klubit kuqezi sheikut të Dubait, i cili tashmë është sponsori kryesor i skuadrës së Milanit nëpërmjet “Fly Emirates”.

Herën e fundit u përfol për një ofertë prej 500 milionë eurosh për blerjen e 40% të aksioneve të Berluskonit, por lajmi u përgënjeshtrua menjëherë. Kësaj radhe Berluskoni nuk ka si të mos pranojë pasi, nuk do të që yjet e “Djallit” të tij si Ibrahimoviç, Boateng apo Tiago Silva t’i ikin prej duarsh.

Pra, me pak fjalë, si një plus një që bëjnë dy, dhe duke parë vështirësitë ekonomike të Milanit, është e sigurt që sheiku i Dubait, i cili është i pasionuar pas sportit, të jetë i interesuar realisht për të qenë pjesë e një prej klubeve më të rëndësishme në Itali dhe Evropë. Takimi ende nuk është kryer, por përfshirja e Al Maktum te Milani mund të sjellë ndryshime radikale në merkaton e klubit kuqezi.

Falë investimeve të Al Maktum, kuqezinjtë mund ta shndërrojnë në realitet ëndrrën e presidentit Silvio Berluskoni, e cila mban emrin e Kristiano Ronaldos. Ndoshta, pikërisht për këtë fakt, Berluskoni do pranonte që të shiste 40% të aksioneve të Milanit.

Gjithsesi, të gjithë tifozët kuqezi po presim me padurim zhvillimin e takimit Berluskoni-Al Maktum, në përfundim të cilit kuqezinjtë, përveçse mund të siguronin qëndrimin e Tiago Silvës dhe Ibrahimoviç, mund të ëndërrojnë edhe për blerjen e Kristano Ronaldos. Në fund të fundit të ëndërrosh nuk kushton asgjë. /albeu.com/
Shtuar më 08/06/2012, ora 19:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori