Sherr për një penallti, tërbohet Ranierit: Doja ta vrisja sulmuesin tim (VIDEO)
Sherr për një penallti. Ajo që ka ndodhur pasditen e djeshme në sfidën e Premier League mes Fulham dhe Huddersfield ka bërë xhiron e botës, pasi gjesti i sulmuesit Kamara për të gjuajtur vetë 11-metërshin e fituar nga ai, ka irrituar pa masë Claudio Ranierin dhe Aleksandar Mitrovic që është goditsi i parë i penalltive te skuadrave londineze.

Ka raste kur gjithçka kalohet lehtë sepse fitorja ishte siguruar, por ka edhe raste kur sherri në fushë plas në momente mjaft delikate dhe për më tepër lojtari që krijon rrëmujë më pas gabon dhe nuk realizon penalltinë vendimtare.

Kjo ndodhi dje në Fulham-Huddersfield, në Premier Leaguen angleze.

Takim shumë delikat, me dy skuadra që po luftojnë për mbijetesë, ndaj fitorja vlente dyfish.Në minutën e 82-të Fulhami fitoi një 11-metërsh dhe aty nisi kaosi. Sulmuesi Aboubakar Kamara doli kundër urdhrit të trajnerit Claudio Ranieri, duke rrëmbyer topin për ta gjuajtur vetë.

Serbi Aleksandar Mitroviç, i caktuar si goditës i penalltive, kërkonte topin, lojtarët e tjerë i kërkonin ndihmë Ranierit dhe italiani bërtiste më kot nga pankina, sepse Kamara nuk lëshonte pe, me futbollistët kundërshtarë që shihnin të habitur spektaklin e shëmtuar.

Kamara e gjuajti penalltinë dhe e humbi, ia priti portieri kundërshtar. Pak minuta më vonë pikërisht Mitrovic shënoi golin e fitores 1-0 për Fulhamin dhe nisi festa, por pas ndeshjes Ranieri ishte tym.

"E pabesueshme, nuk më ka ndodhur kurrë në karrierë kjo gjë. Kamara nuk respektoi shokët e ekipit, mua, klubin dhe tifozët. Desha ta vrisja në ato momente. Fola me të, nuk kuptonte, nuk pranonte t’ia jepte topin Mitroviçit dhe as kërkoi falje”, tha Ranieri pas ndeshjes. Më siguri Kamara nuk do e shohë më fushën tani e tutje. /albeu.com/
Shtuar më 30/12/2018, ora 15:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori