Shfaqen problemet e para për Etrit Berishën te Atalanta
Etrit Berisha po kalon një sezon fantastik te Atalanta, aty ku po luan rregullisht dhe e shohin si të pazëvendësueshëm. Por situata mund të ndryshojë shumë shpejt, ashtu siç ndodh shpesh kur bëhet fjalë për transferime futbollistësh nga një klub në tjetrin. Gjithçka ka lidhje me kushtet e kontratës së huazimit të tij nga Lacio.

Atalanta ka mundësinë që në fund të sezonit të blejë kartonin e portierit shqiptar për 6,5 milionë euro, sa është caktuar nga Lacio në momentin kur i dha mundësinë ta transferonte lojtarin. Por bergamaskët nuk duan të shpenzojnë aq shumë për një portier dhe kjo vë në pozita shumë të vështira 27­-vjeçarin.

Ai duhet të shqetësohet edhe nga fakti se Atalanta ka marrë masat, duke afruar të riun Golini nga Uest Hem dhe sipas mediave italiane, është gati t’i besojë atij portën në të ardhmen nëse nuk arrin të ulë çmimin e kartonit të Berishës në bisedime me Lacion.

Një rreze shprese për zgjidhjen e situatës do të vinte nëse skuadra do të siguronte praninë në Kupat e Europës, që do t’i sillte edhe disa miliona euro përfitime klubit.


Shtuar më 16/02/2017, ora 10:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori