Shkaktuan trazira në Itali, “Illyrian Elite” tani kërcënojnë federatën
Tifo-grupi “Illyrian Elite” është akuzuar në mënyrë direkte nga Federata Shqiptare e Futbollit për problemet e ndeshjes Itali-Shqipëri. Për pasojë, federata ka vendosur të marrë masa, duke mos i dhënë më bileta për ndeshjet e kombëtares.

Tani ka ardhur reagimi i grupimit të tifozëve në fjalë. Nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook, “Illyrian Elite” shkruajnë:

“Duke marrë shkas nga akuzat e ardhura drejt nesh dhe duke dashur të sqarojmë situatën e cila është krijuar në Palermo, dhe është fryrë shumë mediatikisht, ne donim t’iu thonim që qëllimi i gjithë asaj nuk ishte të dënojmë Kombtaren natyrisht, sepse nga sektori jonë nuk është hedhur asgjë në fushë dhe ndaj tifozerisë se thjeshtë italiane. Ne, me “pyroshow”-n tonë, i cili arriti të pezullonte për disa minuta ndeshjen, donim vetëm e vetëm t’i jepnim një mesazh të qartë FSHF-së dhe Policisë së Shtetit në notë protestë, duke i akuzuar drejtpërdrejt ata si të vetmit përgjegjës për degradimin e situatës me të gjitha sjelljet e tyre të njëpasnjëshme, harbute dhe aspak profesionale ndaj nesh dhe tifogrupeve shqiptare të tjera, sjellje të cilat e kaluan cakun e tyre në ndeshjen e fundit në shtëpi, me Izraelin.

Ne si tifogrup nuk do zmbrapsemi nga ngjarja ne Palermo. Jeni ju ata të cilët na keni trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme, në ndeshjen e fundit në shtëpi dhe jo vetëm, ku e mbushët të gjithë tribunën me policë, madje më e keqja ishin edhe të armatosur brenda në tribunë. Duam që t’ua bëjmë me dije që ne nuk bëhemi pishman për asnjë veprim tonin, për të cilin kemi të drejtë dhe do vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë terror tuajin në bashkëpunim me policinë e shtetit. Ne pohojmë me zë të lartë që vendimi i pezullimit tonë për të mos marrë bileta më për të mbështetur Kombtaren dhe ngjyrat kuqezi është një vendim aspak profesional dhe me shume tendencë, duke e ditur nga vjen ky vendim. Nga njerëz që po vendosin diktat në drejtimin e një institucioni tashmë të privatizuar nga ana tyre prej vitesh. Ju duhet të ndërroni qasje ose do të përballeni me pasojat e mëtejshme.

Është mjaftueshëm evidente që qëllimi jonë dhe sakrificat, mundi, koha e harxhuar, kilometrat e bëra, janë një sinjal i qartë i dashurisë të pakushtëzueshme ndaj Kombëtares.

Askush nuk ka të drejtë të na heqë mundësinë e të mbështeturit të Kombëtares, aq më pak ju kollaret e zhytura në korrupsion dhe që kurrë s’keni ditur të jeni një institucion profesional dhe serioz. Ne, si tifo-grup, do të vazhdojmë misionin tonë me çdo “armë” ndaj padrejtësive që po na bëhen si grupim, por jo vetëm…”.
Shtuar më 27/03/2017, ora 09:07
mirditori
e Hënë 27 Mars 2017, Ora 12:33
zhdukeni more kafsha,nuk i duheni kombetares ,shqiperia kurre ska pasur huligana futbolli
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori