Shkëndija: Ndjehemi të tradhtuar nga Renova
Albeu.com
nga Bekri AJDINIHumbjen që pak kush e kishte pritur ka indinjuar drejtuesit e klubit “kuqezi”, të cilët me gjakftohtësi të dielën kanë shmangur një përplasje fizike mes dy ekipeve rivale shqiptare.Shkëndija është ndier e zhgënjyer nga KF Renova pas humbjes 2:0 që ka përjetuar në stadiumin e qytetit të Tetovës, ditën e diel. Humbjen që pak kush e kishte pritur ka indinjuar drejtuesit e klubit “kuqezi”, të cilët me gjakftohtësi të dielën kanë shmangur një përplasje fizike mes dy ekipeve rivale shqiptare. Kryetari i Shkëndijës, Sinan Idrizi ka thënë për “Lajm” se, drejtuesit e Renovës e kanë shkelur një lloj të marrëveshjes që ka ekzistuar mes tyre. “Ne ndjehemi të tradhtuar nga drejtuesit e Renovës për humbjen që na e shkaktuan. Kishim një marrëveshje, që varësisht nga rezultati në Prilep mes Pobedës dhe Sileksit ne të merrnim rezultat pozitiv, që asnjërës skuadër nuk do t’i shkaktonte dëm. Kjo nuk ndodhi, edhe pse Pobeda kishte barazuar rezultatin”, tha i revoltuar Idrizi. Ai shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur. “Kjo humbje nuk do të harrohet asnjëherë në historinë e Shkëndijës. Përkundër kësaj ‘tradhtie’ ne gjithmonë do të jemi besnik”, tha Idrizi, duke konfirmuar se ka shmangur një përballje fizike. “Pas asaj që ndodhi, ka mundur të ketë edhe gjakderdhje, por unë kam lutur njerëzit e mi që mos të lejojnë asnjë incident. Le të gjykojë populli për këtë ndeshje”, tha në fund kryetari i Shkëndijës, Sinan Idrizi.
Ndeshja Renova – Shkëndija ka përfunduar me rezultat 2:0, pas golave të shënuar nga Genc Iseni në minutën 26 dhe Fisnik Nuhiu në minutën 38. Me rezultatin e barabartë 1:1 në Prilep mes Pobedës dhe Sileksit, Renova iu është shmangur ndeshjeve të barazhit, kurse nëse fitonte Shkëndija, shanset për të rënë nga Liga e Parë do të ishin më të vogla. Pas kësaj humbje Shkëndija shkon direkt në Ligën e dytë, ndërsa Renova do të garojë në Kupën Intertoto.



Qenan Idrizi: Nuk ka pasur marrëveshje

Pronari i KF Renova, Qenan Idrizi gjatë deklaratës për “Lajm” ka demantuar se ka ekzistuar ndonjë marrëveshje me ekipin e Shkëndijës. “Fillimisht nuk besoj se ato fjalë i kanë thënë drejtuesit Shkëndijës. Nuk ka pasur asnjë marrëveshje me drejtuesit Shkëndijës për këtë takim, duke thënë se Renova do t’i japë pikët Shkëndijës.”, tha Idrizi. (Lajm)
Shtuar më 21/05/2008, ora 17:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori