Shkarkohet Dunga
Albeu.com
Carlos Dunga nuk është më trajner i Përfaqësueses së Brazilit. Ai së bashku me stafin e tij është shkarkuar të dielën mbrëma, dy ditë pas eliminimit të ekipit brazilian në çerekfinale të Kampionatin Botëror "Afrika e Jugut 2010".
Vendimi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit e Brazilit (CBF). Ky vendim ishte i pritur pas humbjes nga Holanda me shifrat 2:1, në çerekfinale. Brazili kaloi në epërsi me anë të Robinhos gjatë pjesëlojës së parë, ndërsa në të dytën pranoi dy gola nga Wesley Sneijder. Pesë herë kampioni i botës ndeshjen e mbylli me një futbollist më pak pas përjashtimit të Felipe Melos.

"Në mbyllje të ciklit të punës që nisi në gusht të vitit 2006 dhe përfundoi me eliminimin e Brazilit nga Kampionati Botëror në Afrikën e Jugut, komunikojmë shkarkimin e stafit teknik të ekipit", thuhet në komunikatën e Federatës braziliane.

Gjithashtu është bërë e ditur se seleksionuesi i ri do të emërohet në fund të këtij muaji.

Si pasardhës të Dungës në postin e seleksionuesit përmenden emrat e Mano Menezesit ish-futbollist brazilian, Leonardos ish-trajner i Milanit dhe Wanderlei Luxemburgos ish-trajner i Real Madridit.

Luiz Felipe Scolari që ishte kandidati kryesor për të drejtuar Brazilin, ditë më parë ka hedhur poshtë këtë mundësi pasi ka firmosur kontratë dyvjeçare me ekipin e Palmeirasit.

Seleksionuesi i ri me stafin e vet para se të merrte pjesë në Copa America që mbahet në Argjentinë gjatë vitit të ardhshëm do të ketë disa ndeshje kontrolluese për të caktuar formacionin bazë.

Dunga është rikthyer në Brazil të dielën paradite dhe në aeroportin e Porto Alegres është pritur me duartrokitje dhe vërshëllima nga tifozët brazilianë, të cilët në veçanti nuk kanë pasur respekt për mesfushorin Melo.

Sipas disa mediumeve braziliane, Dunga lajmin se është shkarkuar nga posti i seleksionuesit e ka marrë nëpërmjet telefonit vetëm disa orë pasi kishte aterruar në vendlindje.
Shtuar më 06/07/2010, ora 12:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori