Shkarkoi Duron, Gjici tregon arsyen
Safet Gjici ka folur pas largimit të Shpëtim Duros nga Kukësi. Presidenti i Kukësit e konsideron lëvizjen e duhur, për shkak se po pësonin në fund prej tre ndeshjesh dhe Duro sipas tij duhet ta kishte gjetur zgjidhjen.

"Ishim të detyruar të ndryshonim. Sot nuk na falet që pësuam gol në shtesë. Nuk është vetëm faji i trajnerit, por nuk mund të heqim lojtarët. Llogaritet gjithë sezoni, duhej një ndryshim", thotë Gjici.

Duke qenë se është i angazhuar në krye të Bashkisë së Kukësit, ai nuk ka qenë shumë pranë ekipit: "Si rrallëherë, këtë vit e kam lënë shumë të qetë ekipin. Mund ta kem takuar 4 herë Duron këtë sezon, nuk kam pasur kohë.

Ka 3 ndeshje që në fund pësojmë gol, trajneri duhet ta kishte gjetur zgjidhjen. Ndodhi sërish, ndaj duhej të ndërhynim para se të ishte shumë vonë. Duhet ndoshta një frymë e re në ekip. Besoj do gjejmë trajner që të marrë 100% nga ekipi, që është cilësor".

"Trajneri i ri? Ende nuk kemi biseduar, do marrim trajner shqiptar. Kemi pasur që tani sinjale, trajnerë që ofrohen. Ka ende shumë pikë në lojë, ishte momenti i duhur, edhe pse nuk ishte i gjithi faji i trajnerit, por ai duhej t’u kërkonte llogari lojtarëve. Nuk mund të duroja më shumë.

"Shkëmbi, Shehi apo Gega? Nuk kam folur me asnjeri, por nesër pasdite do ta merrni vesh trajnerin e ri, pasi të flas paradite", është shprehur Gjici në emisionin "Zona Gol" në Supersport.
Shtuar më 01/03/2020, ora 09:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori