Shkëlqen në Bundesligë, thërret Shqipërinë
Pas afrimeve të Alban Mehas dhe Burim Kukelit, përfaqësueses shqiptare mund ti shtohet një tjetër element i ri. Bëhet fjalë për sulmuesin Ilir Azemi, i cili aktivizohet te Greuther Furth i Mërgim Mavrajt në Bundesligën gjermane.

20-vjeçari ishte protagonist në triumfin 1-0 që Greuther regjistroi në fushën e Mainz 05, që është edhe fitorja e parë në histori e këtij klubi në elitën e futbollit gjerman. Edhe pse i aktivizua si zëvendësues në minutën e 66-të të takimit, Azemit i mjaftuan vetëm pak sekonda që të ishte vendimtar.

Sulmuesi i talentuar, që cilësohet si një prej lojtarëve të së ardhmes te Greuther Furth dha asistin e golit për Klaus, pas lëvizjeve mjaft të mira në zonë. Ndërkohë, rrjeta i dha ekipit tri pikët e para në këtë sezon, pas disfatës së pësuar në javën e parë përballë Bayern Munchen.

"Do ta kisha për nder të luaja me fanellën e Kombëtares shqiptare. Ky është vendi të cilit i përkas dhe i ndjek gjithmonë ndeshjet e Shqipërisë", ishte deklarata e lojtarit të lindur në Prishtinë, që vjen si një mesazh i qartë për FSHF-në dhe trajnerin De Biasi.

Në afrimin e Ilir Azemit në përfaqësuesen kuqezi, një ndihmë të madhe mund të japë edhe Mërgim Mavraj, i cili mban shiritin e kapitenit te Greuther Furth dhe tashmë është shndërruar në një prej pikave të forta të mbrojtjes së Kombëtares. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2012, ora 10:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori