Shkëmbi: Nuk ishte dita jonë
Pëlqej
Trajneri Bledi Shkëmbi pas ndeshjes me Luftëtarin analizoi humbjen e skuadrës së tij ndaj gjirokastritëve. Sipas Shkëmbit, kjo ishte një ditë jo për lojtarët. Ai nuk e fshehu mundësinë që në ndeshjet e radhës Teuta të ndryshojë mënyrën e lojës.

• Ditë jo, çfarë nuk shkoi?

"Është e vërtetë që ishte një ditë jo. Nuk shkoi lufta dhe dëshira për ta fituar topin. Në futboll nuk mund të luash vetëm kur ke topin në këmbë. Kundërshtari ishte agresiv dhe i fitoi të gjithë topat e diskutuar. Bëmë gabime individuale që do i zgjidhim gjatë javë. Lojtarët me eksperiencë duhet të marrin më shumë përsipër. Disa lojtarë i kuptoj se kanë fituar vonë stërvitje, ndoshta ky është problem kryesor. Pas golit të parë, patëm një problem psikologjik, lojtarët me eksperiencë duhet ta ndihmojnë në këtë pjesë ekipin.

• Më shumë topa ka prekur Latif se treshja e mesfushës po t’i bësh bashkë. Është problem psikologjik i gjithë skuadrës apo i mesfushës?

"Unë mendoj që pas golit të parë, më shumë vuajtëm nga ana psikologjike. Sot na penalizoi dita jo e mirë e Avdylit. Është një lojtar i rëndësishëm që pason shumë mirë. Unë te Avdyli kam shumë besim. Në futboll ka dhe ditë jo. Na mungoi besimi për pasimet vertikale apo qarkullimet e topit.

• Mbrojtësit e qendrës të vendosur gabim…

"Veç 2 mbrojtësëve të qendrës, edhe Sidibe ishte i vendosur gabim te goli i parë. Ishte dhe meritë e kundërshtarit, erdhi një gabim dhe na shënoi. Jam dakord me ju që lojtarët me eksperiencë nuk duhet të bëjnë nga këto gabime. Në futboll ndodh, duhet t’i rregullojmë.

• A di Teuta, të jetë më cinike, të mos jetë e bukur në fushë dhe të marrë atë që dëshiron të marrë?

"Kjo më takon mua. Kam menduar që ne kemi një nivel si skuadër, duhet të luajmë futboll të mirë dhe të fitojmë në këtë mënyrë. Unë dhe e gjithë skuadra duhet ta mendojmë edhe njëherë, për të rinisur. Nuk duhet ta bëjmë dramë, por ndeshjet kalojnë, duhen pikët. Kjo është përgjegjësia e imja, ndoshta duhet të jemi më pak sulmues për ta fituar ndeshjen", deklaroi Shkëmbi.
Shtuar më 22/09/2018, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori