Shkuan të ndërronin tapetin e fushës, por zbulojnë një bombë 50 kg
Alarm për bombë në klubin e Shtutgartit dhe këtë radhë nuk bëhet fjalë për një nga ato të rremët me telefon qe thjesht prishin punë për disa orë. Skuadrat e xhenios në Shtutgart ka konfirmuar praninë e një bombe në mes të kompleksit stërvitor të klubit gjerman të futbollit, duke pezulluar aktivitetet e ditës në terrenet sportive derisa është bërë demontimi i saj.

Klubi kishte planifikuar të rindërtonte terrenet stërvitore dhe kishte filluar gërmimin për të ndryshuar barin në një nga fushat, raporton Panorama. Por gjatë procesit të punës është konstatuar se në një thellësi jo shumë të madhe gjendej një bombë e pashpërthyer që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas ekspertëve të repartit të xhenios, bëhej fjalë për një bombë prej 50 kilogramësh, e lëshuar nga avionët amerikanë gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore.

Ajo kishte qëndruar prej më shumë se 70 vitesh në këtë terren dhe fatmirësisht nuk kishte shpërthyer në fushën ku prej shumë dekadash stërvitet ekipi i Shtutgartit dhe akademia e tij.

Shtuar më 20/09/2017, ora 10:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori