Shqipëria "qan" gjashtë pikët e humbura
Albeu.com
Shqipëria gjithmonë e më pranë vendit të katërt në grup. Pas barazimit 0-0 në Slloveni, objektivi për t‘u ngritur një vazo më lart në shortin për eliminatoret e Botërorit 2010 është fare pranë. Me më shumë cinizëm mund të ishim në garë për vendin e tretë në Grupin G.Kjo kombëtare mban padyshim firmën e trajnerit Bariç: ka bindur në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe mbledh çdo pikë të mundshme rrugës. Madje, si asnjëherë tjetër Shqipëria ka marrë 6 pikë jashtë fushës së saj. Në historinë e përfaqësueses kuqezi nuk kishte ndodhur ndonjëherë edhe që 60 për qind e pikëve të grumbulluara (6 nga 10 të tilla) të fitoheshin në ndeshjet jashtë 28 mijë kilometrave katrorë, ndërkohë që në shtëpi janë fituar vetëm 4 pikë. Por (gjithmonë ekziston një e tillë), kur mungojnë edhe tri ndeshje nga mbyllja e eliminatoreve të Euro 2008, kuqezinjtë e kanë një peng: mund të ishte bërë më shumë. Nëse vëzhgohen me kujdes paraqitjet e këtyre eliminatoreve, me llogari reale del se Shqipërisë i mungojnë 6 pikë në arkiv. Barazimi 2-2 në ndeshjen e parë në grup me Bjellorusinë mund të ishte fare mirë një fitore. Atë që nuk mundi ta bënte skuadra e Bariçit, në shtator të vitit 2006, e bëri fundjavën e kaluar Luksemburgu: skuadra modeste e grupit tonë fitoi 1-0 në Minsk, duke regjistruar triumfin e parë në ndeshjet eliminatore pas 12 vjetësh "agjërim". Në listën e ndeshjeve zhgënjyese mund të klasifikohen edhe dy sfidat me Slloveninë. Dy barazime të thata 0-0, që nëse do të ishte guxuar më shumë do të ishin padyshim fitore. Skuadra e Matjazh Kek nuk është ajo e përpara disa viteve dhe këtë e ka konfirmuar gjatë gjithë ndeshjeve të luajtura, por përfaqësuesja jonë sërish nuk ka mundur t‘i mposhtë. Për mungesë fati në disa raste, por mbi të gjitha prej "ngopjes" me 1 pikë (përpara ndeshjes Bariçi tha hapur se barazimi ishte më se i mjaftueshëm), kundërshtarët janë toleruar në momentin e tyre më të vështirë. Gjithsesi, futbolli ka konfirmuar se nuk është shkencë ekzakte, përkundrazi një sport i mbushur me të papritura dhe fakti se tashmë mund të ishim në luftë për vendin e tretë në grup (16 pikë, ndërkohë që Bullgaria ka 18 të tilla) zhvlerësohet. E rëndësishme është të shihet përpara. Të mërkurën në Tiranë zbret skuadra e Penev: bullgarët kërkojnë hakmarrjen ndaj kuqezinjve, që me pikën e marrë në Sofje ua kanë shuar shpresat për kualifikim në fazën finale të Euro 2008. Bariç ka premtuar betejë të hapur, pasi në "Qemal Stafa" objektiv janë tri pikët. "Ata kanë një ekip shumë cilësor, por ne luajmë për të fituar, ishte deklarata e Bariçit. Të mërkurën do të hedh në fushë një ekip shumë ofensiv, pasi në dy takimet e radhës kërkojmë të marrim të paktën katër pikë".


Ecuria në Grupin G

Bjellorusi-Shqipëri 2-2

Shqipëri-Rumani 0-2

Holandë-Shqipëri 2-1

Shqipëri-Slloveni 0-0

Bullgari-Shqipëri 0-0

Shqipëri-Luksemburg 2-0

Luksemburg-Shqipëri 0-3

Shqipëri-Holandë 0-1

Slloveni-Shqipëri 0-0

Shqipëri-Bullgari 17-10-2007

Shqipëri-Bjellorusi 17-11-2007

Rumani-Shqipëri 21-11-2007


Renditja

Nd. P

Rumani 9 23

Holandë 9 20

Bullgari 9 18

Slloveni 10 11

Shqipëri 9 10

Bjellorusi 10 7

Luksemburg 10 3

G. Shqip
Shtuar më 16/10/2007, ora 00:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori