Shqipëri e re përballë Kamerunit
Shqipëria zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin e Gjenevës, në prag të ndeshjes me Kamerunin. Një program i shkurtër i përgatitur nga tekniku italian, në një atmosferë të qetë dhe plot humor, që shërben për relaksuar futbollistët kuqezi në prag të kësaj miqësoreje, e cila u vu re në fakt dhe nga ngacmimet e De Biasit për gazetarin Shakohoxha në lidhjen direkte në Sport News, apo përshëndetja e Vangjelit për të gjithë tifozët.

Trajneri i kuqezinjve pas kësaj seance zgjidhi dhe të gjitha enigma për formacionin që do të zbresë në fushë ndaj luanëve afrikan. E reja më e rëndësishme është dëmtimi i Alban Mehës në stërvitje.

Mesfushori i Paderborn nuk mund të jetë i gatshëm për përballjen me afrikanët duke sjellë disa ndryshime në emrat që do të aktivizohen nga minuta e parë në Gjenevë. Kështu mes dy shtyllave, tekniku italian do t’i besojë Berishës, titullar dhe në sfidën e fundit me Slloveninë, në mbrojtje do të rreshtohen Andi Lila në të djathtë, Mavraj dhe Cana në qendër, ndërsa në të majtë do të jetë futbollisti i Skënderbeut, Arapi.

Në mesfushë përpara mbrojtjes do të luajnë Sabien Lilaj dhe Ervin Bulku ndërsa më të avancuar do të jenë Emiljano Vila dhe Odise Roshi, që ishte dhe njeriu ndeshje ndaj Sllovenisë. Në sulm konfirmohet dyshja Cani-Sadiku, ndërsa pritet që De Biasi të rezervojë shumë minuta dhe për dy shkodranët, Vajushi e Bala, ku ky i fundit e ka dhe grumbullimin e parë në përfaqësuese.

Sipas asaj që raporton Supersport në Gjenevë, shkallët për momentin të boshatisuara të stadiumit të Servete, pritet të mbajnë rreth 3 mijë tifozë shqiptarë për ndeshjen me Kamerunin, një numër më i vogël se ai që ishte parashikuar, por gjithsesi i mjaftueshëm për të krijuar një atmosferë të ngrohtë për kuqezinjtë. /albeu.com/
Shtuar më 14/11/2012, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori