Një tjetër "tradhtar" nga radhët e Kryemadhit, kush e pranoi mandatin
Shqipëri-Turqi: "Blindohet" Loro Boriçi, policia publikon masat
Policia e Shtetit ka shpallur këtë të enjte masat teknike dhe organizative, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes mes përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Turqisë, takim ky i vlefshëm për kualifikueset e "Euro 2020" e që do të luhet të premten në orën 20:45 në "Loro Boriçi".

Një nga masat kryesore është pikërisht kufizimi i qarkullimit në rrugët përreth stadiumit, sikurse edhe parkimi i automjeteve.

“Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e qytetit Shkodër, si nga krahu lindor, ashtu edhe nga krahu perëndimor. Për parkim të automjeteve në qytetin e Shkodrës do të përdoren sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish-Ndërmarrja e Fermentimit; gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale "Arben Broci"; sheshi te stacioni i trenit të udhëtarëve; sheshi dhe rruga te “Fusha e druve” në unazën lindore”, njofton policia.

Sa i përket kufizimit të qarkullimit, në rrugën "Bujar Bishanaku” (rruga e gjerë e Kirasit) nuk do të lejohen makina duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 24:00. Kjo rrugë, siç thekson policia, do të jetë i vetmi aks i hyrje-daljeve të tifozëve vendas dhe të huaj. Edhe në aksin bulevardi "Zogu i Parë" (sheshi "Parrucë" deri tek ish “5 Heronjtë”), nuk do të qarkullohet në të njëjtin orar. Do të ndalohet parkimi lëvizja e automjeteve nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas; në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish-poligonit të qitjes); në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perimeve në Zdrale.

Ndërkohë, kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites, deri në përfundim të ndeshjes do të ketë në segmentet rrugore: “Xhabije – Parrucë”; “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”; “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë” dhe “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”.

Tifozët ftohen të nisin futjen në stadium që në orën 17:00 për të shmangur konfuzionet.

“Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë”, thotë policia.

Policia u bën thirrje bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth stadiumit “Loro Boriçi” t’i mbyllin ato në orën 14:00.
Shtuar më 21/03/2019, ora 12:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori