Shqiperia barazon me Gjeorgjine
Pëlqej
Albeu.com
Falë një eurogoli në pjesën e dytë të mesfushorit të Tiranës, Ansi Agolli (58’), Shqipëria barazoi 1-1 në miqësoren me Gjeorgjinë në ‘Qemal Stafa’, pavarësisht se Jahmir Hyka, autori i golit më të shpejtë në historinë e ...... Kombëtares shqiptare, i kishte të gjitha mundësitë për të fiksuar shifrat në 2-1 në minutën e 92-të.

Shqipëria në miqësoren e parën nën drejtimin e kroatit Kuzhe regjistroi barazimin e dytë në 11 takimet e luajtura kundër formacionit të drejtuar nga Hektor Kuper, por dhe të dytin rresht pas atij 0-0 të arritur nga Hans-Petër Brigeli, më 22 mars 2006.

Kombëtarja e drejtuar nga Josip Kuzhe, edhe për shkak të mungesës së liderëve të saj tradicionalë, Skela, Cana, Duro, Bogdani, vuajti jo pak në organizim e force dhe nuk arriti të prodhojë atë përformancë të jashtëzakonshme sikurse e krijoi kundër Portugalisë, duke bërë një paraqitje mesatare në pjesën e parë, dhe disi më cilësore në të dytën, falë edhe hedhjes në fushë në pjesën e dytë të fantazistëve Dorian Bylykbashi, Besart Berisha e Jahmir Hyka.

Goli i shpejtë i realizuar nga Gjeorgjia pa kaluar as 120 sekonda nga sulmuesi i Skontos në Letoni, 23-vjeçari Vladimir Dvalishvili, krijoi një klimë të ftohtë në atmosferën e Kombëtares sonë, që në 45 minutat e para zhvilluan një lojë të varfër, me shumë stacione, tepër horizontale, të ngadaltë dhe tepër pasive.

Në fakt, edhe pse të gjithë besonim se më një formacion shumë ofensiv me dy sulmues të mirëfilltë, Salihin (1 gol me përfaqësuesen) dhe Kapllanin (6 gola), nuk u krijua asnjë rast të pastër për gol, përveç ngacmimit nga Kapllani në minutën e 21-të.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Kuzhe reflektoi duke bërë edhe zëvendësime të mënjehershme, të cilat rezultuan efikase si me krijimtarinë e lojës në mesfushë e në krahë, por edhe me goditjet e para të vërteta drejt portës së mbrojtur nga 28-vjeçari Gligol Bediashvili.

Gjithsesi, goli i barazimit nga ana Ansi Agollit ishte tërësisht produkt i magjisë së tij, me atë goditje të thatë nga 30 metra e që gjeti të papërgatitur gardianin gjeorgjian.

Për Ansi Agollin ky ishte goli i parë në 11 ndeshje me përfaqësuesen. Agolli u bë kështu autori i golit të nëntë të realizuar nga Shqipëria kundër Gjeorgjisë dhe lojtari i gjashtë që shënon kundër gjeorgjianëve në 11 takime kundër tyre. Tare (3), Skela (1), Bushi (1), Rraklli(1), B.Kola (1), Hasi (1) janë autorët e golave të tjerë.

Miqësorja e radhës e Shqipërisë është ajo kundër Qipros, më 12 gusht, e deri atëherë trajneri Josip Kuzhe, do të ketë hapësirën e duhur për të riparë takimet me Portugalinë (1-2) dhe Gjeorgjinë (1-1), e për të nxjerrë konkluzionet përpara se Shqipëria të përballet me Danimarkën në Tiranë e Suedinë në transfertë, për t’i bërë edhe një mbyllje dinjitoze kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2010 e për të nisur intensivisht përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, atje ku kroati ëndërron të na çojë për herë të parë si finalist midis 16 skuadrave më të mira të Europës, përpara se Euro 2016 të bëhet me 24 skuadra. (albaniasport)
Shtuar më 11/06/2009, ora 15:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori