Shqipëria e 19-vjecarëve turpërohet nga Norvegjia
Pëlqej
Shqipëria e 19-vjecarëve e mbyll pa pikë eleminatorët e europianit të kësaj grupmoshe që do të luhet në Finlandë verën e ardhshme. Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani e mbyll me një humbje turpëruese 1-7 në Selman Stërmasi ndaj Norvegjisë aventurën në grupin e 12 eleminator. Kuqezinjtë e vegjël hynë në fushë me shpresa për të kaluar në elite round, pasi i nevoitej një fitore me 3 gola epërsi dhe shpresonin që Ukraina të bënte detyrën ndaj Malit të Zi në sfidën tjetër të grupit.

Gjithcka nis mirë për Shqipërinë pasi skuadra tregohet që në start agresive duke kaluar në avantazh me Klajdi Burbën në minutën e 12 që është dhe goli i parë e i vetëm në këtë eleminatore. Sulmuesi që aktivizohet në Norvegji me Viking kishte mundësinë e golit të dytë pak minuta më vonë, por nuk arrin të gjejë kuadratin pavarësisht rroveshatës së kryer. Reagimi i Norvegjisë vjen shumë i ashpër. Në të 18 është Haland që përfiton nga pasiguria në mbrojtje për të vendosur barazpeshën, teksa në të 28 përmbys rezultatin pas një tjetër dhuratë në prapavijën tonë.

Sfida nuk ka më histori pasi nordikët kanë një tjetër ritëm duke nxjerrë në pah edhe cilësitë e tyre teknike për të mbyllur pjesën e parë me shifrat 4-1 në favor. Markovic në të 32 dhe Borchgrevik një minutë përpara fundit janë autorët e golave që i japin një goditje të madhe në aspektin psikologjik djemve tanë, raporton SuperSport. Pjesa e dytë ka të njëjtën histori, me Norvegjinë që realizon 3 gola të tjerë me anë të Oestigard, Markovic dhe Pedersen që erdhi nga stoli. Nervozizmi tek kuqezinjtë është i pranishëm me Myrteza që ndëshkohet me dy kartona të verdhë në harkun e 13 minutave për të mbyllur ndeshjen e tij në minutën e 87. Norvegjia i bashkohet Ukrainës në fazën tjetër, në Elite Round për të synuar kualifikimin për në europianin e Finlandës që do të zhvillohet nga 16-29 qershor të vitit të ardhshëm.
Shtuar më 10/10/2017, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori