Shqipëria e Panuccit nis "jetën e re" kundër Turqisë
Pëlqej
Më në fund, një miqësore për Panuccin. Trajneri italian e nisi aventurën e tij në stolin e Kombëtares Shqiptare pa mundur të bëjë një test të mirëfilltë. Një angazhim në fundin e fushatës kualifikuese për Botërorin rus, ku Panuccit i duhej të përballej me 4 takime zyrtare rradhazi, konkretisht sfidat me Lihtensteinin, Maqedoninë, Spanjën dhe Italinë.

Edhe pse shanset për kualifikim ishin sfumuar, një ndeshje zyrtare që vë në plan të parë pa dyshim rezultatin, sidomos kur bëhet fjalë për fqinjët ballkanas, me të cilët diskutonim vendin e tretë në grup, apo më tepër përballë kolosëve si Italia e Spanja. Trajneri ka bërë lëvizjet e tij në këto ndeshje, por, gjithsesi, duke qenë i kufizuar në masën e eksperimentit. Kundër Turqisë, 44-vjecari do të ketë shansin për të guxuar pa dyshimtepër, pasi bëhet fjalë për një miqësore të siguruar pikërisht për këtë qëllim. Tekniku, në bilancin e 4 ndeshjeve të tij të para në drejtimin e kuqezinjve, shfaqi hapur synimin për një Shqipëri më sulmuese dhe më guximtare në fushën e lojës, prirje që e ka shfaqur edhe në takimet e fundit. Tani, kundër Turqisë, mund të nisë zyrtarisht projektin e misionit për t’u kualifikuar në Europianin e vitit 2020.

Gjak i ri, por edhe ide të reja në kombëtare, aty ku janë afruar së fundmi dhe Kamer Qaka, Ylber Ramadani apo Astrit Ajdarevic, me trajnerin që ka mundësi ta përgatisë sfidën me Turqinë në qetësi të plotë në Antalia. Përballë kombëtares së drejtuar nga një “ujk” i vjetër i stolave si Mircea Lucescu, Panuci më në fund mund të nisë të ndërtojë pa presionin e rezultatit Shqipërinë e tij. /Albeu.com/
Shtuar më 07/11/2017, ora 16:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori