Shqipëria: Me Slloveninë jo si me Islandën
Humbja me Islandën 'djeg' ende te kombëtarja shqiptare. "Nuk ishte rezultat i drejtë". Kjo është fraza që dëgjohet nga të gjithë futbollistët kuqezi, që tani duhet të mendojnë për sfidën e ardhshme kundër Sllovenisë. Nga mbrojtja në sulm, të gjithë të besuarit e Gianni de Biasit kërkojnë të kthehen të fitorja, e cila do të ishte dhe një shpagim për të gjithë tifozët.

Por për të përmbushur këtë mision, sipas Mërgim Mavraj, duhet një paraqitje si ajo me Islandën, me ndryshimin e vetëm, evitimin e gabimeve që sollën dhe humbjen e të premtes.

"Është me rëndësi të kemi një paraqitje të ndryshme kundër Sllovenisë, të kemi një paraqitje si me Islandën në të parën pjesë ose bëjmë gabime të lehta, atëherë do të kemi shumë të vështirë të arrijmë suksesin që kemi parasysh. Por nëse jemi të fokusuar me mbështetjen e tifozëve që kanë qenë fantastik do të mund të arrihet gjithçka", tha Mërgim Mavraj, mbrojtës i kombëtares.

Në të njëjtën linjë shkon dhe Edgar Çani. Sulmuesi shënoi kundër Islandës, ndërsa me shpresën që këtë herë goli të vlejë më shumë, beson te fitorja kundër Sllovenisë.

"Duhet vetëm të mendojmë të luajmë mirë, të shohim gjithë rreziqet që mund të kemi me ndeshjen me Slloveninë dhe të shohim ca do të bëhet dhe ishalla të arrijmë tre pikët", u shpreh Edgar Çani, sulmues i kombëtares.

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Durrës. Gjatë seancave stërvitore trajneri De Biasi është fokusuar te taktika për të evituar gabimet e evidentuara në tre ndeshjet e para të eleminatorëve të Botërorit 2014, ndërsa kundër Sllovenisë pritet të bëjë edhe ndryshimin në formacion. /albeu.com/
Shtuar më 14/10/2012, ora 17:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori