Shqipëria rrezikon pezullimin nga aktivitetet ndërkombëtare
Pëlqej
Vendimi për t’i hequr Shqipërisë të drejtën për të organizuar Kampionatin Europian të Peshëngritjes nga 26 Marsi deri më 1 Prill lidhet drejtëpërdrejt me çështjen e dopingut. Gjithçka pasi Romela Begaj rezultoi pozitive në Botërorin e Kalifornisë gjatë Dhjetorit të kaluar. Pavarësisht se në argumentin fillestar Federata Europiane shpjegoi se nuk ka garanci për mbarëvajtjen e turneut, pas largimit të drejtuesve të Federatës Shqiptare, e kaluara e afërt tregon të kundërtën.

Europiani i Peshëngritjes fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej në Antalia, por programi ndryshoi pasi Turqia u pezullua për një vit nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, pasi përsëritja e testeve anti-doping konfirmoi përdorimin e substancave të ndaluara te tre shtangistë turkë në Olimpiadat e viteve 2008 dhe 2012.

Fat të ngjashëm rrezikon të ketë edhe Shqipëria, me peshëngritjen kuqezi që mund të përballet me pezullim për të paktën një vit nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, raporton SuperSport. Kjo, sepse bilanci i shtangës shqiptare është edhe më i rëndë. Në vitet e fundit, vendi ynë është gjobitur dy herë nga Federata Ndërkombëtare, pasi tre ose më tepër peshëngritës kanë rezultuar pozitivë me doping brenda një viti kalendarik.

Për momentin, është ende e paqartë nëse Shqipëria do të jetë në gjendje të përfaqësohet në Kampionatin Europian të Peshëngritjes. Në evenimentit që tashmë pritet të zhvillohet në Rumani ose Gjeorgji, do të mungojnë disa shtete të rëndësishme të dënuara prej dopingut. Turqia i është bashkuar vendeve të pezulluar, ashtu si Rusia, Azerbajxhani, Ukraina, Bjellorusia, Moldavia dhe Armenia.
Shtuar më 23/01/2018, ora 15:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori