Shqiptarët në Zvicër heqin nga dyqani fanellat e Serbisë
Edhe katër ditë na ndajnë nga nisja e kampionatit Botëror "Rusia 2018", dhe në vendet pjesmarrëse po bëhen përgatitjet e fundit për të mbështetur skuadrat e tyre.

Shumë biznese e shikojnë si një mundësi të mirë për të fituar para duke shitur fanella të ekipeve pjesmarrëse.

Por në një dyqan në Zvicër janë shfaqur disa fanella të përfaqësueses së Serbisë e në të cilat harta e këtij shteti përfshin edhe territorin e Kosovës.

Kjo parregulltësi është vënë re nga konsumatorët kosovarë të cilët janë ankuar tek përgjegjësit e shitjeve të këtij butiku, pasi janë ndjerë të ofenduar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i dyqanit, i cili ka tërhequr fanellat nga shitja, duke shtuar se kushdo që e ka blerë dhe dëshiron ta ndërrojë, këtë mund ta bëjë në cilindo prej dyqaneve.

“E kuptojmë pakënaqësinë e konsumatorëve tanë nga Kosova. E kemi tërhequr tërë sasinë e fanellave nga dyqanet. Blerësit që veç i kanë blerë fanellat mund t’i kthejnë, të rimburësohen me para apo t’i ndërrojnë me ndonjë artikull tjetër”, thuhet në njoftimin e kompanisë. /albeu.com/


Shtuar më 10/06/2018, ora 15:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori