Shqiptari që mahnit helvetët
Pëlqej
Albeu.com
Ylli ri i FC Zurich Blerim Xhemaili, gjithnjë e më tepër është duke befasuar njohësit e futbollit. Njësoj sikur Pirmin Schwegler i Young Boysit edhe ai është një ndër kandidatët më seriozë për t’u aktivizuar në Kampionatin Botëror.Blerim Xhemaili nga e marta në Zvicër nuk llogaritet më si tinejxher. Ai e festoi ditëlindjen e tij të 20-të. Tetovari që po mahnit njohësit e mirë të futbollit me paraqitjet e tij në Super Ligën e Zvicrës, është kandidati më serioz për t’u paraqitur me reprezentacionin e Zvicrës në Kampionatin Botëror të këtij viti.
“Kalimi i Mihai Tararache gjatë pauzës së dimrit në Bundes Ligën Gjermane, ishte një rast i mirë për mua. Kështu që unë kisha shansin e vetëm të marrë më tepër përgjegjësi”, tha Xhemaili.
Ai, me idetë e dhëna dhe si lider agresiv, kontribuoi që FC Zurich të bëhet një kundërshtar i denjë i liderit momental në tabelën e klasifikimit - FC Basel. Edhe të dielën kundër Young Boysit, Xhemaili ishte promotor në “gjahun” e pabesueshëm për Zurich-un, kur nga rezultati 0:3, arritën barazimin 3:3.
“Ai ishte sërish fantastik”, deklaron trajneri Lucien Favre, për të përditshmen Berner Zeitung. Edhe trajneri i Young Boysit, Gernot Rohr, pa asnjë dyshim i konfirmon aftësitë dhe talentin e tij. “Xhemaili është një teknik i mirë dhe një lojtar me shumë pasion”, tha Rohr.
Për trajnerin e kombëtares zvicerane Kobi Kuhn, lista e kandidatëve që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror është e gjatë. Dy futbollistët që kanë shanse më të mira për ta prezantuar Zvicrën në Gjermani, janë Xhemaili dhe Schwegler.
Blerim Xhemaili bashkë me Valon Behramin mund të jenë dy shqiptarët e vetëm që do të aktivizohen në Kampionatin Botëror të futbollit, Gjermania 2006.
BEKRI AJDINI, Lajm
Shtuar më 12/04/2006, ora 21:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori