Shtyhet Barcelona-Real Madrid për shkak të protestave të Katalonjë
Federata e Futbollit e Spanjës ka konfirmuar se përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit është shtyrë për shkak të shqetësimeve lidhur me mungesën e stabilitetit politik në Katalonjë.

Gjatë ditëve të fundit, rrugët e Barcelonës dhe zonat përreth janë goditur nga protestat e vazhdueshme dhe përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Spanjë.

Një protestë e madhe është planifikuar të mbahet në qytetin e Barcelonës më 26 tetor, pikërisht ditën kur klubi Barcelona e kishte ndeshjen kundër rivalit më të madh, Real Madridit, në “Camp Nou”.

Federata fillimisht e kishte shqyrtuar opsionin për ta zhvilluar këtë herë ndeshjen në “Santiago Bernabeu” e më 1 mars, kur është caktuar ndeshja kthyese e El Clasicos në La Liga, të zhvillohet në “Camp Nou”.

Megjithatë, dy klubet e kanë kundërshtuar këtë propozim duke thënë se kjo do të ndikonte në rrjedhën e kampionatit, përderisa Barcelona e ka kundërshtuar edhe shtyrjen e ndeshjes, për shkak të agjendës së ndeshjeve.

Por, Federata tanimë ka konfirmuar se ndeshja është shtyrë.

Dy klubet dhe La Liga pritet të arrijnë marrëveshjen për datën e re të kësaj ndeshjeje deri të hënën e ardhshme.
Shtuar më 18/10/2019, ora 11:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori