Shtypi italian, jehonë kalimit të Inzaghit tek Shqipëria (FOTO LAJM)

Bisedimet mes FSHF-së dhe Filipo Inzagit për stolin e përfaqësueses shqiptare nuk kanë bërë bujë vetëm në Shqipëri, por edhe përtej Adriatikut ku tekniku aktual i Venecias padyshim që është një emër shumë i njohur dhe ku karriera e tij ndiqet me shumë interes.

Lajmet për vijimësinë e këtyre bisedimeve shfaqeshin gjerësisht jo vetëm në brendësinë e gazetave më të mëdha sportive në Itali, por edhe në faqet e para të tyre, duke njohur interesin e madh rreth ish-sulmuesit të Milanit.

E përditshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport”, i kishte kushtuar një artikull të gjatë kësaj çështje, me titullin “Venecia, ki kujdes! Shqipëria synon Inzagin”. Brenda shpjegohet se për momentin, kontaktet mes palëve janë bërë nëpërmjet menaxherit të ish-sulmuesit të njohur, Tulio Tinti, ndërsa mund të zhvillohet shumë shpejt edhe një takim zyrtar.

Aktualisht, Inzagi është në Formentera, ku po kalon pushimet, por po merr në shqyrtim këtë ofertë shumë interesante. Sipas gazetës italiane, vendimi përfundimtar mund të merret pas një takimi direkt mes palëve për të diskutuar detajet e ndryshme.

Edhe “Corriere Dello Sport” paralajmëron Venecian për një largim të mundshëm. “Pipo, Shqipëria e zgjedh si trajner. Inzagi pas De Biazit, Venecia mund ta humbasë”, shkruhet në faqen e parë. Ndërsa në artikullin në brendësi saktësoshet se vendimi rreth këtyre diskutimeve nuk do të vonojë shumë, pasi do të mësohet sot apo nesër.

Ndërkaq, në editorialin që kjo gazetë publikon çdo ditë në radion “RDS”, oferta e Shqipërisë për Inzagin cilësohet si hakmarrja perfekte e 43 vjeçarit ndaj Milanit që e “dogji” shumë shpejt në pankinën e tij, duke i vështirësuar karrierën si trajner. /Panorama Sport/
Shtuar më 23/06/2017, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori