Shulku i përgjigjet Finos për financat: Informohu më mirë
Pëlqej
Vetëm pak ditë përpara Asamblesë Zgjedhore të 7 Shkurtit, ku do të votohet për presidentin dhe strukturat e reja drejtuese të Federatës së Futbollit, beteja është ashpërsuar. Akuzave për abuzim me fondet nga deputeti i maxhorancës, Bashkim Fino, që cilësohet si rivali më i fort i presidentit aktual Armand Duka, u është përgjigjur sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

"Jam sot përpara jush për të sqaruar opinionin publik në lidhje me disa akuza të ngritura nga ana e ndonjë kandidati për president të FSHF-së, apo edhe e ndonjë individi, pjesë e stafit të tij, në lidhje me keqinformimin mediatik mbi financat e FSHF-së. Si administrator i institucionit në këto vite, ndiej detyrimin për të sqaruar opinionin publik dhe anëtaret e federatës për këto akuza, pavarësisht se çdo vit, anëtarët njihen me pasqyrat financiare të FSHF-së në Asamblenë e Përgjithshme, njëherësh edhe me raportin e auditorit ndërkombëtar të kontraktuar, “DELOITTE ALBANIA”. Është kategorikisht e pavërtetë dhe një keqinformim shifra prej 24 mln euro në vit e buxhetit të FSHF-së."

Numri 2 i Federatës së Futbollit publikoi edhe shifrat e shpenzimeve për biletat e udhëtimeve të ekipeve Kombëtare, ku pjesa më e madhe lidhet me pjesëmarrjen e Shqipërisë në finalet e Euro 2016 në Francë.

"FSHF disponon në mënyrë të pavarur sistemin e biletarisë “Amadeus SELLING platform”, të cilin e përdor për përcaktimin e itinerareve të ndryshme, nëpërmjet të cilit merr çmimin direkt të kompanive ajrore. Kompania “Vas Tur”, nga ana e saj, ekzekuton vetëm finalizimin me nr.elektronik të biletës së udhëtimit, sipas rezervimit të kryer. FSHF mbulon biletat e ekipeve kombëtare për ndeshjet zyrtare e miqësore, turnetë zyrtarë e miqësorë, si më poshtë vijon:
Për ekipin Kombëtar A
Për ekipin kombëtar U-21
Për ekipin kombëtar U-19
Për ekipin kombëtar U-17
Për ekipin kombëtar U-15
Për ekipin kombëtar A të femrave
Për ekipin kombëtar U-19 të femrave
Për ekipin kombëtar të futsall
Së fundmi edhe për ekipet kombëtare U-16, U-18 dhe U-20."

"Të gjitha shpenzimet e udhëtimit për të gjithë lojtarët dhe stafet e këtyre ekipeve kombëtare mbulohen nga FSHF. Është deklaruar në media që FSHF i ka paguar kësaj kompanie 1 mln euro vetëm në vitin 2016. Po ju sqaroj se, në vitin 2016, duke marrë parasysh edhe pjesëmarrjen në Kampionatin Europian dhe shpenzimet e nevojshme, FSHF ka paguar në total shumën prej 715.000 euro, ku rreth 60% e saj ka shkuar për organizimin dhe akomodimin në “EURO 2016”."

Shulku iu përgjigj edhe akuzave nga kandidati rival për kreun e federatës, për deklarime të rreme financiare te UEFA, por edhe rreth pretendimeve për faturat telefonike apo imobiliare të paguara nga FSHF.

"Në Lidhje me deklarimet e ndryshme financiare në UEFA, sqarojmë personat në fjalë, por mbi të gjitha opinionin, që rreth 70% e buxhetit të FSHF-së është e mbuluar nga fondet e FIFA-s dhe UEFA-s dhe ka monitorim e auditim direkt prej tyre. Këto të ardhura auditohen tërësisht nga FIFA dhe UEFA. Më konkretisht: Për vitin 2016, fondet e FIFA-s dhe UEFA-s ishin 68.5% e buxhetit. Për vitin 2017, fondet e FIFA-s dhe UEFA-s ishin 70% e buxhetit. Për vitin 2018, këto fonde shkojnë në rreth 72% e buxhetit. Të gjitha hamendësimet e tjera për deklarime të rreme janë thjesht dhe vetëm një keqinformim, që i bëhet opinionit publik.
Akuza për 54 milionë euro të paguara për Kompaninë PLUS, është një tjetër farsë mediatike, pasi shuma totale e paguar në vitin 2017 për kompaninë PLUS është 3.8 milionë lekë të reja për shpenzimet telefonike të administratës së FSHF."

"Pagesa në shifrën prej 270.000 euro për kompaninë “TOP-AL” ka mbuluar të gjithë aksesorët e mobilimit për stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, me një volum pune të jashtëzakonshëm, shoqëruar me pasqyrat përkatëse të punës. Kjo kompani është kontraktuar sipas të gjitha rregullave dhe proceduarave financiare, me të cilat operon FSHF." përfundoi Shulku. /albeu.com/
Shtuar më 03/02/2018, ora 16:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori