Shumë skuadra të mëdha pas tij, Muriqi flet rreth ofertave
Vedat Muriqi është futbollisti shqiptar më në formë. Sulmuesi nga Kosova ka shkëlqyer me fanellën e Fenerbahces në fillim të këtij edicioni, mirëpo paraqitje fantastike ka pasur edhe me Kosovën.

Në dy ndeshjet e muajit shtator, prizrenasi ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime.

E falë paraqitjeve të mira, mediat evropiane kanë raportuar se për të interesim kanë shfaqur skuadra të mëdha si Manchester United, Tottenham Hotspur, Atletico Madrid, Lazio, Napoli e Fiorentina.

"Nëse jam duke bërë ndeshje të mira dhe duke shënuar gola, nuk është vetëm për meritën time. Suksesi nuk është vetëm i imi, por i të gjithë ekipit".

"Personalisht nuk kam oferta për t’u transferuar në ndonjë skuadër tjetër”, ka thënë Muriqi për mediat turke.

"Ndoshta menaxheri ka marrë ndonjë ofertë, por që ende nuk jam i njoftuar. Gjatë ditëve të ardhshme do të takohem me të".


25-vjeçari ka thënë se momentalisht është i fokusuar vetëm tek skuadra e tij aktuale Fenerbahce.

"Jam i fokusuar te Fenerbahce pasi synojmë të bëjmë një sezon të madh. Momentalisht po mendoj vetëm për ndeshjen ndaj Alanyas", përfundoi reprezentuesi kosovar.
Shtuar më 14/09/2019, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori