Si do të ishte Juve pa gabimet e arbitrave
Nëse Juventusi do të ishte gjykuar drejt, atëherë në klasifikim do të kishte plot 59 pikë. Bardhezinjve u është dashur që të vuajnë nga shumë gabime nga ana e arbitrave dhe fare pak favore, nisur nga ajo që ka ndodhur në 27 javë të luajtura në Serinë A. Janë të shumta ndeshjet, në të cilat torinezët kanë humbur pikë.

Në fillim është Juventus- Cagliari, e cila u zhvillua më 15 janar të 2012- ës. Sardët luajnë fort dhe pretendojnë për dy penallti pas prekjeve të topit me dorë nga Bonuçi dhe Pirlo. E drejtë, ekipit të Contes i duhet hequr një pikë nga barazimi i marrë. Më 5 shkurt Juvja pret Sienën. Në fund ka një faull, për shkak të prekjes së topit me dorë nga ana e Vergasolas të dukshëm, por arbitri vazhdon lojën. Takimi mbaron në barazim, por realisht Juvja meritonte penallti. Torinezëve duhet t’u ishin shtuar 2 pikë.

Ndërsa ndeshja më e debatuar, është ajo me Milanin, në të cilën u bënë tre gabime: nuk u përjashtua Mexes, Matri bëri gol të rregullt, si dhe u anullua goli i rregullt i Muntarit. Kështu Juvja ka vjedhur një pikë dhe nga renditja duhet t’i hiqet 1 pikë.

Më 15 shkurt bardhezinjtë luajnë ndaj Parmës. Giacherini futet brenda zonës dhe rrëzohet nga Biabany, por penallti nuk ka, megjithëse kjo është e dukshme. Më pas është radha e Pirlos, i cili goditet me gju nga Santakroce, por sërish loja vazhdon. Pamjet filmike tregojnë për dy penalltitë. Edhe Giovincos së Parmës iu mohua një penallti, kur u pengua nga Barzagli.

Gjithsesi, bardhezinjve për këtë sfidë u duhen shtuar 2 pikë. Më 3 mars në “Juventus Stadium” vjen Chievo. Anulimi i golit të De Ceglie mund të quhet i rregullt, por ndërhyrja e Drame është për karton të kuq. Më pas arbitri nuk jep penalti për ndërhyrjen e gabuar të Acerbit ndaj De Ceglie. Kështu, ja edhe dy pikë të mohuara për torinezët.

Në fund është ndeshja midis Genoas dhe Juventusit. Një fitore e mohuar duke nisur nga goli i rregullt i anuluar i Pepes, për të vazhduar me penalltinë e mohuar ndaj Matrit. Pra rezulton se Juvja ka arritur që të fitojë me ‘ndihmë’ dy ndeshje ndaj Caglarit dhe Milanit, por i është mohuar suksesi ndaj Sienës, Parmës, Chievos dhe Genoa. Kështu me një llogari matematikore të thjeshtë dy pikë i duhen hequr Juves për barazimet e pamerituara ndaj sicilianëve dhe kuqezinjve, por i duhen shtuar 8 të tjera, që iu hoqën padrejtësisht nga gjykimet. Pra janë 6 pikë më shumë. “Zonja e Vjetër” tani do të kishte 59 pikë në 27 takime. /albeu.com/
Shtuar më 14/03/2012, ora 14:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori