Si rrallë herë nata më e keqe për dy yjet e futbollit, Messi dhe Ronaldo drejt fundit të karrierës
Messi dhe Ronaldo kanë dominuar futbollin botëror për më shumë se një dekadë, duke fituar trofe të shumtë individualë dhe me klubet respektive.

Argjentinasi ka fituar gjashtë “Topa të Artë”, kurse portugezi e ndjek me pesë të tillë. Dy karriera të jetuara si dy vija paralele, edhe të dielën në mbrëmje.

Ndërsa i pari, Messi, u përjashtua me karton të kuq, për herë të parë që kur ka veshur fanellën e Barcelonës, tjetri, Cristiano Ronaldo, doli nga “San Siro” me kokën ulur, pas një performance së dobët në humbjen e Juventusit 2-0 ndaj Interit.

Pavarësisht nga 15 golat e shënuar deri më tani prej portugezit, të cilët e bëjnë atë aktualisht shënuesin më të mirë në Serie A, në paraqitjet e fundit Ronaldo duket mjaft i largët me kampionin e madh, të admiruar për vite me radhë. I ngadaltë, i pasaktë, jo shumë i kthjellët edhe në pasimet më të thjeshta. Ronaldo kundër Interit përsëriti provën tashmë të keqe, të ofruar disa javë më parë në “San Siro”, kundër kuqezinjve.

Argjentinasi, në sekondën e fundit, u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari, me sinjalizimin e VAR, pasi goditi një kundërshtar dhe tani rrezikon një pezullim shembullor. Shenjë e një nervozizmi të fshehtë për muaj me radhë, midis zërave të lamtumirës nga Barcelona dhe disa performancave të kritikueshme.

Me pak fjalë, e diela, nga Milano në Seville, ishte nata e yjeve, që u rrëzuan. Mesa duket Ronaldo dhe Messi duhet të dorëzohen pasi po vjen fundi i një epoke të lavdishme.
Shtuar më 18/01/2021, ora 16:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori