Silvio-Gallianit: Sill Pep në Milano
Teksa Massimiliano Allegri luante në Siena të paktat shanse që i kanë mbetur Milanit për titull, Silvio Berlusconi mendonte për pasardhësin e tij. Të paktën kështu bën të ditur e përditshmja italiane "Repubblica", sipas së cilës numri një i shtëpisë kuqezi i ka dhënë urdhër Adriano Gallianit që të nisë bisedimet me trajnerin Pep Guardiola.

Ky operacion merkatoje duket pothuajse i pamundur, meqenëse vetë Guardiola ka bërë të ditur se dëshiron të pushojë për një vit. Pra, me pak fjalë, operacioni “Guardiola” ka startuar, edhe pse siç thamë më lart është tepër i vështirë për t’u realizuar.

Si fillim janë pesë vështirësitë që Milani duhet të kalojë për të siguruar shërbimet dhe idetë e teknikut spanjoll: 1) të bindë Guardiolën t’i rikthehet punës; 2) rroga e lartë e spanjollit; 3) ish-katalanasi duhet kënaqur me investime të rëndësishme në merkato; 4) të mundin konkurrencën e klubeve të tjera evropiane; 5) raporti i keq me Ibrahimoviçin. Këto janë pesë pikat që e bëjnë transferimin e Guardiolës praktikisht të pamundur.

Por, sipas të përditshmes “Repubblica”, Berluskoni e ka në xhep zgjidhjen e këtyre problemeve. Ideja kryesore e presidentit kuqezi është të mbajë Paton dhe të shesë sulmuesin Zlatan Ibrahimoviç. Me këtë gur do vriste dy zogj. Pra, do siguronte paratë e nevojshme për pagën e spanjollit, të cilat do kalonin nga xhepi i Ibrës në atë të Guardiolës. Dhe me paratë që do përfitonte nga shitja e sulmuesit suedez, që kërkohet nga Reali, do siguronte ato që i duhen për të investuar në merkato.

Por është edhe një tjetër detaj që duhet marrë në konsideratë. Guardiola është një nga ata trajnerë që punon me seriozitet të plotë në sektorin e të rinjve, i përkthyer ndryshe: mund t’i kursejë para në merkato Milanit.

Kësisoj, ia vlen barra qiranë. Tani Galiani me urdhër të Berlusconit i ka dhënë jetë operacionit “Guardiola”. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2012, ora 13:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori