Simeone: Barça e këtij sezoni, më e fortë
Diego Simeone nuk i zë besë krizës brenda klubit që ka përfshirë Barcelonën. Trajneri i Atleticos Masdrid, në vigjilie të përballjes që "Los Colchoneros" do të kenë me katalanasit sot në mbrëmje, theksoi se ai dhe futbollistët e tij aktualisht janë duke menduar vetëm për sfidën e "Camp Nou"-t, dhe as që nuk duan tia dinë me atë çfarë po ndodh jashtë fushës së blertë me Barcelonën.

"Ne jemi të përqëndruar vetëm te aftësitë dhe kualitetet individuale që zotërojnë futbollistët e Barcelonës. Nuk është diçka aspak e mirë të entuaziazmohemi me ato çfarë thuhen në media për situatën që po kalojnë katalanasit sepse nëse merremi me të tilla gjëra mund ta pësojmë keq në "Camp Nou". Ndoshta ne nuk e dimë por te Barça mund të ketë pasur një mbledhje gjatë orëve të fundit dhe mund të jenë zgjidhur të gjitha problemet që ekzistojnë", ka thënë Simeone.

Sezonin e kaluar, Atletico Madrid arriti të fitonte titullin brenda në "Camp Nou" me Barcelonën që në atë kohë drejtohej nga Gerardo Tata Martino. Por cila skuadër është më e fortë sipas El Cholo Simeones, Barça që kishte në krye trajnerin argjentinas apo ajo që aktualisht drejtohet nga Luis Enrique?

"Prania në skuadër e një portieri si Claudio Bravo e ka bërë më të fortë Barcelonën, ndërkohë që tashmë ata kanë në ekip dhe një lojtar të kalibrit të lartë botëror si Luis Suarez. Rakitic mund të zëvendësojë pa më të voglin problem Xavin dhe Iniestan. Te Barça nuk ka asnjë futbollist që nuk di ta menxhojë shumë mirë topin madje edhe portieri mund ta bëjë në mënyrë të shkëlqyer një gjë të tillë. Unë mendoj se kjo Barcelonë është akoma edhe me e fortë se ajo e sezonit të kaluar. Ne për të dalë me një rezultat pozitiv nga sfida e "Camp Nou"-t duhet të shfaqim të gjithë potencialin tonë në fushën e lojës pasi në të kundërt nuk do të kishim asnjë shans përballë tyre", përfundoi tekniku argjentinas. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2015, ora 09:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori