Simeone: "El Clasico", jo fundi i kampionatit
Fitore, fitore dhe vetëm fitore”, ishte ky slogani në punën e të ndjerit Luis Aragones, ish trajneri i Spanjës kampione e Europës në vitin 2008. Të njëjtat fjalë Diego Simeone i mban vathë në vesh teksa karikon Atleticon e Madridit në kërkim të shifrave perfekte për të mbajtur gjallë shpresat për titullin këtë sezon.

"Në këtë fazë të kampionatit e kemi vetë në dorë fatin. Nga ndeshja në ndeshje duhet të kërkojmë vetëm fitore, duke patur shumë kujdes. Jemi kompetitivë, agresivë dhe të bezdisshëm për kundërshtarin, por gjithashtu kemi patur vështirësi në rrugën tonë", është shprehur tekniku i Atletico Madrid.

Të dielën luhet El Clasico, megjithatë pak rëndësi ka për "El Cholo"-n rezultati që do të prodhojë përballja mes dy gjigantëve dhe dy pretendentëve të tjerë, Real Madrid-Barcelona.

"E kemi të qartë se për ne rëndësi kanë vetëm fitoret tona dhe se kampionati nuk përfundon të Dielën. Cfarëdo që të ndodhë në El Clasico, për Realin e Madridit është thuajse e pamundur që të humbasë 3 nga 9 ndeshjet e fundit të sezonit", tha argjentinasi.

Për trajnerin argjentinas të Atleticos është një zhvillim i mirë për La Ligan që krahas Realit e Barçës, ekziston edhe një skuadër tjetër që ka shanse për titullin, ndërsa foli edhe për Diego Costan, të cilin e cilësoi goditjen më të mirë për kombëtaren spanjolle, pasi është ndryshe nga sulmuesit e tjerë. /albeu.com/
Shtuar më 20/03/2014, ora 14:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori