Simeone: Krenar për djemtë e mi
Pavarësisht humbjes edhe eliminimit që pësoi në Kupën e Mbretit nga Barcelona, trajneri i Atletico Madrid Diego Pablo Simeone ndihet krenar për atë që dhanë futbollistët e tij në fushën e lojës. Argjentinasi i "Los Colchoneros", edhe pse jo drejtpërdrejt, thumboi arbitrin kryesor të sfidës Jesus Gil Manzano, i cili me vendimet e tij ja vështirësoi jo pak gjërat Atleticos në sfidën e "Vicente Calderon".

"Zhvilluam një paraqitje shumë të denjë në këtë edicion të Kupës së Mbretit. Të eliminonim L'Hospitalet por mbi të gjitha Realin e Madridit ishte dicka e rëndësishme. Zhvilluam dy ndeshje të mira edhe ndaj Barcelonës. Në pjesën e dytë me këshillën time ekipi luajti pa presion dhe pa patur frikën se mund të pësonte një tjetër gol. Gjithsesi unë mendoj se ndeshja e Vicente Calderon përfundoi në momentin që u mbyll edhe pjesa e parë, sepse më pas nuk kishte më histori. Dua të them që ndihem krenar për futbollistët e mi. Të dilnim kampion 1 vit më parë në kurriz të kësaj Barcelone ishte diçka fantastike për ne. Përjashtimi Gabit kushtëzoi ndeshjen tonë? Po është e vërtetë, e vetmja gjë që Gabi i tha arbitrit për të merituar kartonin e kuq ishte se i kërkoi një shpjegim, për penalltinë e padhënë në rastin e Griezmann", është shprehur Simeone.


Në krahun tjetër festën e kualifikimit e prishi disi ai reagim i Neymar. Braziliani i cili realizoi dy gola në fitoren 3-2 të Barcës në momentin që u zëvendësua nga Luis Enrique u shfaq shumë nervoz.

Megjithatë një shpjegim për këtë veprim të 22-vjeçarit u përpoq të japë trajneri asturian i skuadrës blaugrana.


"Sjellja e Neymar ishte ajo e përhershmja, me shumë dëshpërim pasi ai gjithmonë kërkon më të mirën nga vetja. Neymar e kupton kështu futbollin, megjithatë unë dua t'i them atij që askush nuk do ta zëvendësojë pasi në radhë të parë është një lojtar thelbësor për skuadrën, edhe pse ne na pëlqen që ai të tregohet i guximshëm. A jam i kënaqur me kualifikimin? Të them të drejtën me pëlqeu paraqitja e skuadrës time, sidomos reagimi i ekipit pasi atij goli shumë të shpejtë që morëm", ka thënë Luis Enrique. /albeu.com/
Shtuar më 29/01/2015, ora 10:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori