Simeone: Nëse japim mbi 100%, fitojmë gjithçka
Pëlqej
Superkupa e Spanjës e fituar ndaj Real Madrid është trofeu i pestë i Atletico Madrid në epokën "Simeone". Trajneri argjentinas është pa dyshim njeriu i momentit te "Los Colchoneros", aq më tepër që në 3 finale përballë 10 herë kampionëve të Europës ka mundur të triumfojë në dy raste.

"Jam shumë i kënaqur me punën e bërë nga futbollistët e mi, që po luftojnë kundër të gjithëve. Sigurisht jam shumë i lumtur edhe për tifozët që po festojnë këtë sukses të merituar. Kjo ishte një finale më shumë. Humbëm Championsin ndaj Realit, një trofe shumë të rëndësishëm, por sukesesi në Superkupë na jep energji për të synuar gjithçka kemi përpara", shprehet Diego Simeone.

Por a do të mund të rivalizojë sërish Atletico me Realin dhe Barcelonën në Primera Division?

"Në një ligë me 38 ndeshje gjithçka është e vështirë. Barcelona edhe pse zhvilloi një kampionat të dobët mund të ishte shpallur kampion. Po kështu edhe Reali nëse do të fitonte me Valencian do të ngjitej në vendin e parë. Është shumë e vështirë të rivalizosh në kaq shumë sfida. Gjithsesi, në çdo ndeshje ne do të jemi kompetitivë. Jemi një skuadër që mund të fitojmë kudo. Përgjatë një sezoni duhet të japim më shumë se 100%, siç bëmë vitin e kaluar, vetëm kështu mund të kemi shanse për titullin", vijoi argjentinasi.

Në organikën e Atleticos kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, që sipas Simeones do të thotë se loja duhet t’u përshtatet karakteristikave të futbollistëve.

"Katër ndryshime në një ekip janë shumë. Është e qartë që do të ndryshojnë edhe situatat e lojës. E rëndësishme është që ne po përmirësohemi dhe do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Tani e kemi mendjen vetëm tek takimi me Rayo Vallecanon", përfundoi "Cholo".

I pyetur për mungesën e Di Marias në formacionin e Real Madrid këtë radhë Simeone u tregua më i kujdesshëm, duke i shmangur komentet që mund të nxisnin të tjera polemika. /albeu.com/
Shtuar më 23/08/2014, ora 10:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori