Simeone: Nuk ka favoritë në këtë ndeshje
Juventusi dhe Atletiko do të zhvillojnë aktin e dytë mbrëmjen e nesërme, teksa sfida e parë e luajtur në Spanjë përfundoi me shifrat 2-0 në favor të ekipit të Simeones. Pikërisht ky i fundit, ka folur përpara mediave në kuadër të ndeshjes, ku preku disa tema dhe deklaroi se nuk sheh favoritë.

FJALËT E PARA MBI SFIDËN –"Ndeshja e parë i përket një momenti, ndeshja e dytë është një tjetër. Çdokush përpiqet të përgatitet dhe të organizohet, por futbolli ka të bëjë me detajet dhe kjo nuk mund të shpjegohet apo të parashikohet. Kjo është ajo çka e bën këtë sport të mrekullueshëm. Mund të flasim për këtë gjë sa të doni, por nuk është se do të bëjë ndonjë ndryshim."

MUNGESAT – "Po përpiqem që të vendos më të mirët e mundshëm në fushë, në mënyrë që ekipi të funksionojë sa më mirë. Do të bëj me ata që kam në dispozicion. Si të gjithë sulmuesit, Morata është i rëndësishëm dhe na ndihmon shumë. Godin është mirë, është stërvitur sot dhe pres nga ai që të luaj nesër. Do të jemi gati për një luftë kundër Juves, pasi Juventusi nuk është vetëm Ronaldo. Kanë lojtar si Dibala, Bernardeski, Dagllas Kosta apo Manxhukiç, të cilët do të na vendosin në vështirësi."

EKIPI FAVORIT – "Siç e thashë më parë, janë dy ekipe të forta, por një do të shkoj më tej, ndërsa ekipi tjetër do të eleminohet. Është e vështirë të flasësh për favoritë në këtë ndeshje.”
Simeone gjithashtu u pyet dhe në rast se ndeshja ndaj Juventusit i duket si tip hakëmarrje ndaj bardhezinjve, pasi në kohën kur argjentinasi luante me Lacion, për shkak të"Zonjës së vjetër" ekipi bardhekaltër nuk arriti të fitonte titullin.

HAKMARRJE NDAJ JUVENTUSIT – "Jo, çdo ndeshje është e ndryshme dhe na duhet të luftojmë me qetësi, duke ditur që po përballemi me një ekip të madh dhe të fortë. Nuk kam dyshime që do të jetë një ndeshje fantastike futbolli."/albeu.com/
Shtuar më 11/03/2019, ora 20:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori