Simeone thumbues: Di Maria më i miri në fushë
Pëlqej
Akti i parë i Superkupës së Spanjës i ndau paqësisht rivalët e derbit madrilen, me barazimin 1-1 që ka lënë të hapur llogaritë për ndeshjen e kthimit në "Vicente Calderon". I kënaqur pas takimit, Diego Simeone tentoi të përcjellë një mesazh drejt kundërshtarëve, me qëllimin e vetëm për të shkaktuar destabilitet sepse çështja që preku është vërtet sensitive në kampin e "Los Blancos".

"Bëmë lojën tonë sipas karakteristikave të ekipit që duam. Patëm 3 apo 4 raste për të shënuar të parët, por nuk mundëm. Ndeshja ndryshoi më pas me Di Marian në fushë. Është logjike, sepse ai është lojtari më i mirë që ata kanë", u shpreh Simeon.

Simeone u pyet në vijim nëse mendon vërtet se bashkëkombasi i tij është më i miri te Reali dhe si e shikon aktin e dytë të finales.

"E them me bindje se Di Maria është lojtari që shkakton më shumë probleme në mesfushë. Ndeshjen e kthimit e shikoj 50 me 50, pasi Reali është një skuadër që gjithmonë shënon. Nuk do të ishte mirë nëse mendojmë për një barazim pa gola", vijoi argjentinasi.

Pas derbit të parë të sezonit në Santiago Bernabeu foli edhe Raul Garcia, autori i golit të vetëm për Los Colchoneros. Mesfushori spanjoll tha se rezultati nga ky takim i parë mund të konsiderohet mjaft pozitiv, pasi skuadra do të ketë avantazhin e një goli në transfertë kur të përballet sërish me Realin. /albeu.com/
Shtuar më 20/08/2014, ora 09:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori